Mungojnë Shkresat, Shtyhet Seanca në Apel

Ankesat e avokatëve të të akuzuarve, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu, ishte paraparë të dëgjoheshin sot në Gjykatën e Apelit, por kjo nuk ndodhi pasi që avokati i palës së dëmtuar, Bajram Tmava, u ankua se nuk kishte pranuar disa shkresa.

Retkoceri dhe Spahiu ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë  në korrik të vitit të kaluar me nga 30 vite burg secili, pasi ishin gjetur fajtorë për vrasjen e Naim Hajrizit në prill të vitit 2009.

Retkoceri dhe Spahiu vazhdimisht kanë mohuar kryerjen e kësaj vepre.

Avokati i palës së dëmtuar Bajram Tmava u ankua se nuk kishte pranuar ankesat e avokatëve të të akuzuarve dhe se këto do të duhej t’i ishin dorëzuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Përpos ankesës lidhur me mungesën e shkresave, Tmava vërejtje pati edhe lidhur me mungesën e prokurorit të Apelit në këtë seancë.

“Ndonëse sipas Kodit të Procedurës Penale prokurori nuk është i obliguar të jetë i pranishëm, rëndësia e këtij rasti kërkon që ai të jetë këtu” tha Tmava.

Kolegji shqyrtues i Gjykatës së Apelit miratoi kërkesën e Tmavës për shtyrjen e seancës dhe i dha kohë që të pajiset me shkresat e lëndës.

Pas përfundimit të seancës, avokati Bajram Tmava për KALLXO.com u shpreh i indinjuar me mungesën e shkesave, por edhe me mospraninë e prokurorit.

“Unë kisha dy kërkesa: e para, edhe pse me dispozita ligjore nuk është e domosdoshme prezenca e prokurorit të Apelit, unë kam kërkuar nga gjykata që me një shkresë të veçantë të kërkojë nga prokurori i çështjes që të prezantojë në seancë ku shqyrtohen ankesat e avokatëve mbrojtës. Dhe, çështja e dytë, nuk më janë dorëzuar ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktgjykimit”, tha ai.

Mendim të njëjtë me Tmavën pati edhe avokati tjetër Ramë Dreshaj, i cili mbron të akuzuarin Osman Spahiu.

“Është e vërtetë që dispozitat nuk e obligojnë as mbrojtjen e as prokurorin e as palën e dëmtuar që të jetë i pranishëm në seancën e apelit.

Mirëpo, prokurorët e Apelit e kanë bërë praktikë dhe nuk po u interesojnë seancat, nuk po marrin pjesë në shumicën e rasteve. Ata do të duhej të shikonin edhe anën humane. Do të duhej të ishin prezentë edhe pse ligji nuk i obligon”, tha Dreshaj.

Ankesa ka edhe avokatja e të akuzuarit tjetër Gëzim Retkoceri. Fehmije Gashi-Bytyqi vë theksin në tejzgjatjen e procesit.

“Vetë fakti se arrestimi i të mbrojturit tim, Gëzim Retkoceri, së bashku me Osman Spahiun, ku me 30 prill i mbush plot 7 vite, tregon se në këtë lëndë ka shumë të panjohura “, tha ajo.

Seanca e radhës do të mbahet pas dorëzimit të shkresave avokatit mbrojtës.

Për procesin rreth vrasjes së Naim Hajrizit KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi.

http://kallxo.com/nga-30-vjet-burg-dy-te-akuzuarve-per-vrasje/