Mungojnë Reagencat, Malishevasit Mbetën pa Analiza

Pensionisti Hajdar Paqarizi kishte shkuar sot herët në mëngjes në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Shpëtim Robaj” në Malishevë për t’i bërë analizat, të cilat ia kishte kërkuar mjeku.

Mirëpo, sikur edhe shumë hallexhinj të tjerë, Hajdari doli pa kryer punë, sepse aty i thanë që analizat s’mund t’i bëjë për shkak se në laborator mungonte “lënda e parë“.

Për këtë arsye, ai dhe disa të tjerë u detyruan t’i bënin analizat në laborator privat.

Për analizat Hajdari pagoi 15 euro, që është një shumë e lartë për të duke qenë se tha jeton vetëm nga një pension.

“Kur erdha në mëngjes, në ora 7:00 fiks, hina nalt në katin e dytë. Mbi 30 veta jena kanë aty. Ai që i ban analizat aty tha nuk kam lëndë të parë dhe u kthyem të gjithë. Pasi mjeku na ka dhënë mi ba analizat, u detyrova me shku privat. Aty i bana, ata thanë që duhet 15 euro. Unë isha i sëmurë dhe për këtë arsye u desht me shku privat dhe mi çu mandej rezultatet te mjeku”, tregon Hajdar Paqarizi për KALLXO.com.

Hajdari thotë se çuditet se si një Komunë nuk mund të ketë “lëndën e parë”, duke e ditur se çdo ditë mbi 30 persona kryejnë analizat.

“Nuk e di qysh mos me kanë në gjendje një kuvend komunal me pasë lëndë të parë, tu e ditë që për çdo ditë 30-40 veta i krynë analizat, plus ky gripi që ka ardhë këtu. Nuk e di qysh nuk po është në gjendje kuvendi komunal me furnizu një ambulantë”, tha Hajdar Paqarizi.

Ndërsa, zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paqarizi, tha për KALLXO.com se arsyeja pse laboratori nuk ka mundur t’i kryejë disa analiza ka qenë vonesa në të pajisurit me reagenca. Arsyen e vonesës Paqarizi nuk e di. Por thotë se në ora 9:00 laboratori është pajisur dhe më nuk do të ketë probleme.

“Laboratori në QKMF në Malishevë sot ka pasur një vonesë në furnizimin me reagenca. Ka qenë një vonesë e shkurtër, deri rreth orës 9:00 të mëngjesit dhe kjo ka qenë arsyeja pse nuk janë bërë disa analiza. Përndryshe, analizat e përgjithshme janë kryer të gjitha normalisht”, theksoi zëdhënësi i Komunës.

Artan Paqarizi tha se asnjëherë më parë nuk ka pasur vonesa të këtilla. “Sot ka ndodhur për herë të parë”, theksoi ai.