Gjykimi për krim të organizuar - Foto: KALLXO.com

Mungojnë prokurori dhe avokatja e të akuzuarit për krim të organizuar, shtyhet seanca

Seanca e sotme e gjykimit të Arben Bashotës, Sylejman Bajramit e Osman Bajramit, të cilët akuzohen për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, është shtyrë për arsye se mungoi prokurorja Merita Bina-Rugova si dhe mbrojtja e obligueshme ndaj të akuzuarit Arben Bashotës.

Gjyqtari Arben Hoti tha se më datë 31.10.2018 avokatja Aurora Mulhaxha ka paraqitur parashtresë se e revokon autorizimin për përfaqësim të të pandehurit Arben Bashotës dhe në seancën e sotme i pandehuri u  përfaqësua vetë.

I akuzuari Arben Bashota tha po mbrohet vetë sepse nuk ka pasur kohë të marrë një avokat tjetër.

Bashota tha se mbrëmë rreth orës 17:00 është njoftuar nga avokatja Aurora Mulhaxha se ajo nuk do ta përfaqësojë më atë.

Pasi që gjyqtari Hoti i tha të akuzuarit se nuk mund të mbrohet vetë, Arben Bashota tha se do të sigurojë një avokat tjetër për seancën e radhës.

Të pranishëm në sallë ishin edhe dëshmitarët Hajdar Hasani dhe Vjollca Haliti (përfaqësuese e Agjencisë Kosovare të Privatizimit).

Dëshmitari i parë tha se nuk ndihet mirë me shëndet.

“Sot nuk mund të dëshmoj sepse nuk ndihem  mirë me shëndet”, tha Hajdar Hasani.

Seanca e radhës mbahet më 21 nëntor.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit nga viti 2004 së bashku me Ruzhdi Shaqirin (i vrarë në gusht të vitit 2014) kanë bërë presion të vazhdueshëm ndaj të dëmtuarve Murat Tërnava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani që ta lirojnë pronën në sipërfaqe prej 10.12.53 hektarë që gjendet në Fushë-Kosovë, rrugës për në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së përpiluar nga prokurorja Merita Bina-Rugova, pala e dëmtuar, në këtë rast Murat Tërnava, pronën kontestuese e kishte marrë në shfrytëzim për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Ky rast është njëri nga rastet e shënjestruara për liberalizim të vizave.