Mungesë filmash për rëntgen në spitalet e Kosovës

Qendrat spitalore në Kosovë ka ditë që kanë mungesë të materialeve mjekësore –filma për rëntgen.

Një qytetar fillimisht ka raportuar në KALLXO.com se në Spitalin Rajonal të Prizrenit nuk ka fare filma të rëntgenit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, shefi i Barnatores në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Muharrem Rama.

“Ka 10 ditë që kemi mungesë të filmave rtg., pasi që lënda e furnizimit me filma rtg është në OSHP, edhe aktualisht kemi mungesë të tyre. Sot kemi iniciuar procedurat për blerjen e filmave rtg që do të përdoren për rastet emergjente dhe të hospitalizuarit”, thuhet në përgjigjen e Ramës.

Se ka mungesë të këtyre materialeve në spitalet shtetërore, e ka thënë për KALLXO.com edhe Bujar Gjikolli, drejtor i Klinikës së Radiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

“Tërë Kosova po kalon në funksionim pa filma. Përgatitjet për tenderimin për PACS kanë përfunduar dhe këto ditë do të publikohet sa më parë me çka do të jetë gjithçka digjitale dhe pa filma. Tenderi për blerjen e filmave ka përfunduar dhe pritet brenda afateve ligjore operatori ekonomik t’i sjellë ato për këtë vit”, ka shtuar ai.

Gjikolli ka theksuar se digjitalizimi është i mirëseardhur dhe largimi i filmave për rëntgen në tërësi do ta lehtësonte punën e stafit mjekësor.

QKUK-ja kohëve të fundit ka pasur mungesë edhe të produkteve elementare siç janë dorezat, penjtë, letrat higjienike dhe shamponët.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për mungesën e gjërave elementare në QKUK.