Mungesat e Mëdha në Listat e Uzurpatorëve të AKP-së

Hulumtimi i ekipeve të emisionit nxori në pah se në listën e uzurpatorëve të publikuar nga AKP-ja nuk figurojnë emrat e personave dhe bizneseve të cilët janë të afërt me politikën e për të cilët “Drejtësia në Kosovë”, ka raportuar më parë.

Një rast i tillë ishte raportimi në vitin 2012 për zyrtarin e PDK-së dhe drejtorin e shërbimeve publike në komunën e Vushtrrisë Gani Imerin. Për këtë “Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar se Imeri me vëllezër kishin ndërtuar shtëpi në pronën e ndërmarrjes “Elan”. Në proces gjyqësor pas këtij emisioni Imeri është dënuar me 10.000 mijë euro gjobë. Por, hulumtimi i ekipeve të emisionit tregoi se në listën e AKP-së  Imeri nuk figuron si uzurpator.  Për këtë Agjencioni i Privatizimit nuk janë përgjigjur.

Gani Imeri është bashkëpartiak me Kryetarin e Kuvendit  Kadri Veseli, i cili bëri thirrje për publikimin e listës së uzurpatorëve.

Por në kabinetin e kryeparlamentarit thotë se nuk kanë ndikuar tek AKP në asnjë mënyrë që të mos publikohet ndonjë uzurpatorë i pronës shoqërore.

“Ajo është listë e AKP-së dhe nuk administrohet nga ne. Kryetari Veseli në mënyrë absolute nuk ka kërkuar që dikujt t’i hiqet emri. Përkundrazi fakti i vetëm dhe publik është kërkesa e tij e vazhdueshme që të bëhen publikë emrat e të gjithë uzurpatorëve pa dallim. Të tjerat janë spekulime”, ka thënë për “Drejtësia në Kosovë”, Blerim Latifi, këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Gani Imeri tani është duke paguar gjobën prej 10 mijë eurove, pasi gjykata e ka dënuar por uzurpimin e pronës shoqërore.

“Në komunën e Vushtrrisë janë 46 hektarë tokë e uzurpime edhe është përgjigjur vetëm Gani Imeri. Mua nuk më ka akuzuar AKP, e as ndërmarrja, por më ka akuzuar Tahir Tahiri, i cili ka patur interesa personale dhe edhe vëllaun e vet e ka pas uzurpatorë”, ka deklaruar Imeri.

Tahir Tahiri, ish-drejtor në ndërmarrjen “Elan”, tha se AKP nuk i ka publikuar uzurpatorët të cilët ai i quan të “fuqishëm”.

“Unë e kam parë listën dhe aty ka vetëm disa persona që s`kanë ndikim, por ata që janë të lidhur me partinë në pushtet PDK, nuk ishin. Gani Imeri nuk është. Unë nuk e di se përse AKP-ja nuk i ka futur në listë  militantët partiak”, ka deklaruar Tahiri për emisionin.

Hulumtimi në teren i Drejtësia në Kosovë, tregoi se dy zyre të Partisë Demokratike të Kosovës, ajo në Gjakovë dhe Deçan janë në prona shoqërore. Por, sekretari i PDK-së, Basri Musmurati ka deklaruar se selia qendrore e partisë nuk di asgjë për këtë, pasi që dy degët, ajo e Gjakovës dhe e Deçanit “i menaxhojnë vet ato zyre”.

Hashim Deshishku, ish deputet i LDK-së, biznesi i  të cilit figuron në listë e uzurpatorëve të AKP-së, siç transmetoi “Drejtësia në Kosovë”, nuk ka dashur të flasë para kamerave. Por ai e mohon të jetë uzurpator.

“Ajo pronë është blerë përmes kontratës me institucionin përkatës (pronarin) me datë 21.02.2001 përmes marrëveshjes në mes Lesnina Sloveni dhe Lesna Prishtinë dhe e njëjta është vërtetuar në gjykatën komunale në Prishtinë numër 5319 të datës 02.10.2001. Sa për sqarim ,kjo prone me date 19.11.1975 është blerë nga kompania sllovene Lesnina nga KNI Ramiz Sadiku në Prishtinë me numër të kontratës mbi shitblerjen 1192 te datës 21.01.1975 dhe te annex kontratës mbi shitblerjen numër 12574 të datës 19.11.1975 . Kjo prone në kadastër figuron tashmë në emër timin sipas fletës poseduese me numër te lëndës 11-953 – 240 534/271 të leshura nga komuna e Prishtinës.”

Ekipet e emisionit kanë biseduar me shumë prej personave të cilët janë në listën e AKP-së Adem Çitaku nga Prishtina, thotë se ai që nga viti 2000 pa paguar qiranë.

“Unë që nga viti 2000 kam paguar qeranë, fillimisht ndërmarrjes Gërmia, e ma vonë ndërmarrjes publike banesore. Edhe unë nuk e di se çfarë uzurpatori jam, kurse i paguaj qiranë për këtë lokal”, ka deklaruar ai.

Në listën e AKP-së, siç tregoi hulumtimi i ekipeve të “Drejtësia në Kosovë”, figuron edhe “Studio Oxford” në Pejton. Durim Osmani, përfaqësues juridik i Shpresa Malazogut i ka thënë emisionit se AKP ka cenuar të drejtën e tyre.

“Ta quash dikë uzurpator pa ndonjë vendim të formës së prerë të gjykatës, është cenim i të drejtës. AKP nuk ka asnjë bazë ligjore të na quajë uzurpatorë, pasiqë pronare në bazë të fuqisë ligjore e asaj prone është Shpresa Malazogu, e cila e ka blerë pronën në vitin 1995 dhe për këtë i posedojmë të gjitha dëshmitë, përfshirë edhe vendimin e gjykatës kompetente”, ka deklaruar ai.

Uzurpatori tjetër sipas listës së AKP-së është edhe kompania Siqani. Pronari i saj Jakup Siqani pretendon se nuk është ashtu siç po thotë AKP.

“Unë këtu jam prej vitit 1992. Nuk kemi të bëjmë e uzurpim, gjysmën e pronës e kam blerë në vitin 1997 në Beograd në gjykatën për falimentim dhe pjesën tjetër e kam blerë në vitin 2008. Unë pjesën e blerë para luftës e kam në emër timin. Le të verifikohen dokumentet, unë këtu jam nëse vërtetohet se një dokumenti imi është i falsifikuar le të më mbyllin në burg, le të ma konfiskojnë pasurinë. Por, jo të na njollosin ermin”, deklaruar Siqani për “Drejtësia në Kosovë”.

Në kryeqytet dhe në listën e AKP-së me më së shumti prona të uzurpuara figuron të jetë “Kosova Petrol” e Bedri Selmanit. Përfaqësuesit e kësaj kompanie nuk kanë dashur të flasin, por në një komunikatë për media publikimin e meit nga AKP si uzurpatorë e quajnë skandaloz.

“Investitori Bedri Selmani në Janar të vitit 2000, ka bërë kontratë me UNMIK-un dhe ka fituar të drejtën për menaxhim dhe administrim të ish pronave të Jugopetrolit dhe Beopetrolit në Kosovë. Në këtë kontratë, atij i është njohur e drejta legjitime e investimeve dhe e afarizmit. Gjatë kësaj periudhe të veprimtarisë, kompania “Kosova Petrol”, e drejtuar nga z.Selmani, ka bërë investime  shumë milionëshe dhe e ka siguruar pozicionimin e vet në tregun afarist të derivateve të naftës. Prandaj, linçimi i ndërmarrjes “Kosova Petrol” dhe pronarit të saj Bedri Selmani, pas 15 viteve të periudhës legjitime të investimeve, punësimeve, afarizmit dhe kontributit që kjo ndërmarrje i ka bërë Buxhetit të Kosovës, është skandaloz dhe i paparë në rrjedhat e afarizmit bashkëkohorë. Për të gjitha këto padrejtësi dhe dëme të pariparueshme materiale dhe afariste që i janë shkaktuar, investitori Bedri Selmani, ju ka drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar në Uashington DC”.

Hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, tregoi se lista e AKP-së mban të dhëna konfuze dhe nuk ofron të dhëna të sakta për uzurpatorët në shumë raste. Shembull në këtë listë figurojnë të dhëna edhe sikur kjo: Banorë të panjohur të fshatit Tërstenik. Poashtu në këtë listë ka të dhëna vetëm në emër të lagjeve dhe jo për secilin uzurpator. Megjithatë ekipet e emisionit gjatë kontakteve me banorë në qytete dhe fshatra të Kosovës, kanë arritur që t`i identifikojnë dhe të bisedojnë me disa prej banorëve që shfrytëzojnë tokën shoqërore.

“Nuk jemi uzurpatorë, ne me të drejtë e kemi marrë tokën e të parëve tanë. Dokumente nuk kemi, sepse edhe gjaku o hup, por dokument jemi ne njerëzit”, ka deklaruar Murat Xhokaj nga fshati Tërstenik i Drenasit, i cili e pranon se shfrytëzojnë pronën shoqërore pa lejen e AKP-së.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, në fshatin  Zabel i Ulët të Drenasit janë mbi 250 hektarë tokë e uzurpuar, por AKP e ka publikuar vetëm emrin bujkut Xhevat Ibrahimi.

“S`kanë guxu me i qit emrat e uzurpatorëve të mëdhenj që e kanë shit krejt tokën e Kosovës. Me kanë kap mu një bujk i thjeshtë edhe pse unë kam kontratë me ndërmarrjen Drenica. 250 hektarë tokë në vitin 2006 e kemi ndarë krejt fshati, e ata vetëm mua më kanë quajtur uzurpatorë”, ka thënë Ibrahimi.

“Drejtësia në Kosovë”, për shkak të numrit të madh të personave të përfshirë në listat e AKP-së, të premten e ardhshme do transmetojë pjesën e dytë për pronat e uzurpuara dhe neglizhencën e prokurorisë së shtetit për t`i hetuar uzurpatorët.