Kuvendi i Kosovës

Mungesa e kuorumit shtyen votimin e Projektligjit për festat zyrtare

Për shkak të mungesës së kuorumit sot në Kuvend nuk është hedhur në votim shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se ligji do të hedhet në votim kur të ketë kuorum.

Paraprakisht, deputeti Nait Hasani nga Komisioni për Administratë Publike tha se në mbledhjen e datës 17 tetor 2017 ka pasur pajtime dhe kundërshti për propozimet për festa zyrtare.

Ai tha se kërkesa e komunitetit serb që të futet festë zyrtare Dita e Vidovdanit ka hasur në kundërshtime në Komision.

“7 shkurti duhet t’i takojë komunitetit serb si festë, ndërsa për 8 qershorin nuk ka pasur koordinim në komision, pasi ajo ditë ngjallë ndjenjat nacionale.  Është në kundërshtim me ndjenjat dhe rregullimin shtetëror të Kosovës, pasi është luftë ballkanike. Kjo pikë t`i mbetet historikut  dhe akademisë të shqyrtohet”, tha Hasani.

Ai shtoi se Komisioni e ka miratuar Ditën e Egjiptianëve si ditë e tyre si dhe atë të 6 Shkurtit  si kërkesë e komunitetit serb.

Pas tyre ka reaguar edhe deputeti i Listës Serbe, Igor Simiç.

Ndërsa kryetari i Kuvendit Kadri Veseli kërkoi që ky projektligj të kalojë në parim, kurse në lexim të dytë të diskutohet.

“Igor është mirë me shku ne lexim të parë, mandej për të dytin e diskutoni. Dhe të arrihet kompromisi. Të gjitha datat janë tonat”, tha ai.

Kurse, deputeti Veton Berisha  nga PLE, kërkoi mbështetjen e deputetëve në mënyrë që të miratohet si festë zyrtare Dita Nacionale e Komunitetit Egjiptian.

“Të përkrahet kjo ditë  sepse ka 3 vite që propozimi im nuk kalon për arsye të të tjerëve”, tha Berisha.