Mungesa e kuorumit pamundëson votimin e rezolutës për shpenzimet e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar debatin parlamentar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës për ndarjen e mjeteve financiare nga shpenzimet e paparashikuara, por rezoluta e nxjerr pas debatit nuk doli në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj si propozues i kërkesës, paraqiti dy pikat e rezolutës:

  1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndalë praktikën e ndarjes së mjeteve financiare pa kriter dhe pa respektuar dispozitat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë;
  2. Në një afat prej 1 jave, Qeveria përkatësisht Zyra e Kryeministrit të sjellë në Kuvend një raport për proceduarat e zhvilluara për të realizuar aktivitetet për mënyrën e shpenzimit të mjeteve me fokus të tri ngjarjeve: Shënimin e përvjetorëve 2018-2019 që lidhen me përvjetorin e Pavarësisë dhe shënimin e 505 vjetorit të vdekjes së Gjegj Kastriot Skënderbeut.

Deputeti Selmanaj tha se kur të ketë kuorum kjo rezolutë do të dalë në votim.

“Nuk ju ftoj sot për votim se nuk kemi as kuorum, por e lëmë herën tjetër. Jemi të hapur ta plotësojmë rezolutën me ndonjë propozim eventual”, tha deputeti.

Ndërkaq, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti tha se nëse ka kuorum kjo rezolutë mund të dalë nesër në votim

“Nuk ka kuorum për zabtim. E përfundoj debatin lidhur me këtë seancë. Nëse ka kuorum e votojmë nesër rezolutën e propozuar”, tha Haliti.

Kuvendi i Kosovës edhe nesër (e mërkurë), do të mbajë seancë të jashtëzakonshme përkatësisht debat parlamentar në lidhje me bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti.