Muaji i tragjedive, pesë vrasje në familje

Pesë persona dyshohet se janë vrarë nga familjarë në tri raste të veçanta vetëm në muajin prill.

Duke filluar nga vrasja e cila ndodhi në Lagjen “Dardania” në Prishtinë këtë muaj po e mbyllim me një vrasje tjetër e cila erdhi si pasojë e lëndimeve të marra pas një konflikti mes familjarëve në Pejë.

Më 22 prill të këtij viti, Prishtina u trondit kur mori lajmin se në një nga lagjet e saj më saktësisht në Lagjen “Dardania” kishte ndodhur një vrasje e trefishtë.

Dyshimet e para ishin se kryefamiljari kishte vrarë gruan, nusen e djalit dhe më pas veten.

Rasti ishte cilësuar nga policia si vrasje e rëndë dhe vetëvrasje ndërsa më pas dolën në shesh edhe disa të tjera të pathëna për atë që dyshohej se kreu vrasjen e vetëvrasjen.

Sipas informacioneve të para dyshohej se dorasi H.K, 61 vjeçar ka vrarë gruan e tij R.K, 60 vjeçare së bashku me gruan e djalit të tij, H.K 28 vjeçare.

“Si duket, deri te vrasja ka ardhur nga problemet e tyre familjare. Mbetet t’i vërtetojmë, por mendojmë që edhe më herët kanë pasur probleme në familje, burri dhe gruaja”, kishte deklaruar ditën e ngjarjes për KALLXO.com Kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, Imer Beka.

Në anën tjetër KALLXO.com kishte mësuar edhe detaje të tjera për këtë rast.

Sipas informacioneve të pranuara nga Gjykata e Prishtinës, KALLXO.com ka mësuar se ndaj familjarëve të personit H.K, në gusht të 2017-ës ishte lëshuar një urdhër mbrojtje që ndalonte personin H.K ti afrohej gruas dhe fëmijëve të tij në një distancë prej 50 metrave.

“Me datë 14.08.2017 është vendosur nga Gjykata dhe ju është NDALUAR palës përgjegjëse H.K, që mos t’i ofrohet palës së mbrojtur H.K, dhe fëmijëve të saj A.K dhe K.K, në një distancë prej 50 metra në vende publike, në një distancë prej 50 metra nga vendi ku ajo jeton me fëmijët e saj, në një distancë prej 50 metra në vendin ku pala e mbrojtur dhe fëmijët e saj punojnë”, thuhej në përgjigjen e gjykatës.

Ndërsa pas ankesës së palës përgjegjëse H.K vendimi i Gjykatës së Prishtinës ishte prishur pjesërisht nga Gjykata e Apelit vetëm në raport me dy fëmijët.

Pasi që rasti ishte kthyer pjesërisht në rigjykim me propozimin e palës së mbrojtur gruas H.K, kërkesa për urdhër mbrojtje ne raport me fëmijët e palës se mbrojtur ishte konstatuar pjesërisht e tërhequr.

Një rast tjetër i vrasjes në familje u shënua të shtunën në Prizren, vetëm katër ditë pas tragjedisë në Prishtinë.

Sipas policisë dyshohej se një grua rreth të 27-ave kishte vrarë foshnjën e saj të porsalindur.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, të shtunën e javës së kaluar i kishte thënë KALLXO.com se, një grua rreth 27 vjeç, kishte kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Prizrenit ndërsa e njëjta kishte lindur një foshnjë rreth një javë më parë.

https://kallxo.com/kryeprokurori-i-prizrenit-foshnja-e-vdekur-u-gjet-ne-tavanin-e-shtepise/

E dyshuara lindjen e kishte kryer në shtëpi.

Gjithashtu Kryeprokurori Shala ka thënë se foshnja kishte vdekur ndërsa kishin qenë familjarët e të dyshuarës ata që kishin raportuar rastin.

E dyshuara gjithashtu kishte fshehur foshnjën e vdekur në tavan të shtëpisë ku më pas policia kishte arritur ta gjente.

https://kallxo.com/prizren-nena-dyshohet-se-mbyti-foshnjen-e-porsalindur/

Nëna e foshnjës së vdekur është arrestuar ndërsa foshnja është dërguar në IML për obduksion.

Rasti i fundit i shënuar për vrasje brenda familjes, është ai në Pejë.

Më 26 prill, Policia e Rajonit të Pejës ishte njoftuar për një zënkë mes disa personave në vendin e quajtur Qafa e Broqit.

Të përfshirë në këtë rast ishin tre të dyshuar një nga ta i mitur.

KALLXO.com ka mësuar se zënkës i kishin paraprirë disa konflikte familjare në të kaluarën e ku më pas kishin ardhur deri te përleshja mes viktimës, vëllait të tij dhe djalit të vëllait të tij.

Sipas burimeve të KALLXO.com, 50 vjeçari, Metë Nikçi kishte hasur vëllain dhe djalin e vëllait të tij deri sa po i prenin pyllin. Në po të njëjtin vend vëllai, djali i këtij të fundit dhe një person tjetër kishin rrahur viktimën me sakicë duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Policia kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe nuk kishin gjetur 50 vjeçarin aty.

I njëjti për dy ditë rresht u kërkua nga njësitet e policisë, hetuesisë gjithashtu edhe të forcave të kërkim shpëtimit nga FSK.

Pas dy ditësh kërkime 50 vjeçari Metë Nikçi ishte gjetur pa shenja jete në fshatin Reka e Allagës në Pejë në një rrugë dytësore.

Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, ku më pas Gjykata Themelore në Pejë kishte aprovuar kërkesën, për të dërguar të dyshuarit në masën e paraburgimit për 30 ditë.