Limaj e Hasani në Gjilan | Foto: Facebook

MTI nis procedurat për të paditur ish-ministrin për borxh, Hasani e mohon

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka nisur një procedurë gjyqësore ndaj ish-ministrit, Bajram Hasani.

KALLXO.com ka siguruar shkresën e MTI-së drejtuar avokaturës shtetërore, ku kërkohet që të iniciohet procedura ndaj Hasanit për borxhin të cilin e kishte marrë sa ishte në krye të dikasterit.

“Kërkojmë të inicioni procedurën gjyqësore ndaj z.Bajram Hasani i cili nuk i kishte kthyer mjetet e marra paradhënje nga arka e MTI-së në shumën prej 2 mijë e 232 euro e 55 cent”, thuhet në dokumentin e MTI-së.

Tutje, në dokumentet përmenden edhe disa prej dëshmive, për të cilat MTI pretendon se vërtetojnë se ish-ministri i ka borxh Ministrisë.

Por, me pretendimet e MTI-së nuk është pajtuar ish-ministri, Bajram Hasani.

Në një prononcim për KALLXO.com, ai ka thënë se nuk bëhet fjalë për borxh, pasi që pagesat ishin bërë me kartelë të ministrisë dhe për këtë ekzistojnë edhe faturat.

“Ato janë pagesa me kartelë, kredit kartë por ata i kanë heq faturat prej dosjes. Unë i kam kërkuar prapë hoteleve dhe mi kanë kthyer ato, janë tri apo katër udhëtime jashtë vendit në Amerikë, Paris, Zvicër dhe në Turqi. Ato janë pagesa të bëra me pagesë të llogarisë, nuk ka këtu paradhënie dhe janë të gjitha të dëshmuara sepse kanë qenë udhëtime zyrtare”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.

Tutje, Hasani ka thënë se kjo nga ana e MTI-së po bëhet për të ju hakmarr atij.

“Me të vërtetë është e çuditshme se deri ku shkon mendja, po dojnë njëfar hakmarrje që për mendimin tim është e ulët, sepse janë dokumentet janë të gjitha, këta i kanë hjek faturat prej dosjeve”, tha tutje ai.

Bajram Hasani ishte shkarkuar nga pozita e ministrit në MTI në shtator të vitit të kaluar me kërkesë të partisë së tij, Nisma Socialdemokrate.

https://kallxo.com/nisma-e-shkarkon-ministrin-bajram-hasani/

www.kallxo.com