MTI

MTI me projekt të përbashkët me IFC-në për të mbështetur prodhuesit vendor

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala është takuar sot me menaxherin për Evropë në Korporatën Ndërkombëtare për Financim (IFC), Damien Shiels, ku është diskutuar për projektet e ardhshme të ministrisë dhe IFC-së.

Sipas njoftimit të ministrisë, Shala ka konfirmuar se së shpejti do të fillojë një projekt që do t’i mbështesë prodhuesit vendor, në prodhimtarinë teknologjike.

“Temë e debatit ishte edhe shkëmbimi i përvojave në tërheqjen e investimeve me vendet e ngjashme siç është Irlanda. U vlerësua edhe fuqizimi i mekanizimit për trajtimin e ankesave për investitorët, që do të bëhet në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është falënderuese ndaj IFC-së dhe Qeverisë Zvicerane për mbështetjen e deritanishme dhe ne jemi të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin në projektet që na presin për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë ministri Shala.

Shala gjithashtu tha se MTI-ja është e kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë me IFC-në që është pjesë e Bankës Botërore, për përmirësimin e klimës së biznesit dhe tërheqjen e investimeve të huaja si dhe zhvillimin e sektorit privat në Kosovë.

Ndërsa Damien Shiels konfirmoi projektin me MTI-në, për mbështetjen e prodhuesve vendor, që do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës.