Ministri i Tregtisë, Endrit Shala në inspektim të mallrave

MTI: I kemi bërë mbi 1 mijë inspektime, nuk ka mallra në kundërshtim me ligjin

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me Inspektoratin ka dalë në terren për të inspektuar pikat shitëse ushqimore me qëllim të verifikim dhe kontrollit në atë fushë që e mbulon kjo ministri.

Ai thotë se do të pres nga gazetarët t’i zgjedhin vendet në të cilat do të bëhet inspektimi.

“Pas shumë shqetësimeve nga qytetarët, mediat por edhe deputetët se në tregun e Kosovës edhe pas vendosjes së taksës prej 100%, po vazhdojnë të jenë ende në qarkullim produkte nga këto dy vende, sot kam vendosur që të bëjmë inspektime të jashtëzakonshme dhe pikat e inspektimit do t’i përzgjedhin gazetarët. Do të inspektohen pikat shitëse ushqimore, me qëllim që të heqim secilin dyshim se në treg potencialisht mund të ketë mallra të konrabanduara”, citohet të ketë thënë ministri Endrit Shala sipas komunikatës së Ministrisë.

Sipas ministrisë deri më tani janë bërë mbi 1 mijë inspektime dhe nuk kanë arritur të gjejnë mallra që janë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

“I inspektuam tri pika shitëse në Komunën e Prishtinës, të përzgjedhura nga mediat, me qëllim të zbatimit Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, Udhëzimit Administrativ për Vendosjen e Flamujve të origjinës dhe njëkohësisht për kontrollimin e produkteve që e kanë masën 100 për qind”, tha Ministri Shala, sipas komunikatës së MTI-së.

Qeveria e Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar ka vendosur taksën prej 100% për produktet serbe dhe boshnjake.

Tash e disa muaj dyqanet janë të obliguara që produkteve t’i vendosin edhe flamurin e vendit origjinë ku është prodhuar.