Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, Foto. Kallxo.com

MTI dërgon një kontingjent ushqimesh në veri të vendit

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka bërë të ditur që MTI ka nisur një kontingjent të ushqimit për në veri të vendit.

“Sapo i nisëm kontingjent me ushqim në veri të vendit. Zhvillimi i biznesit, ofrimi i produkteve ushqimore për secilin qytetar të vendit është nevojë esenciale dhe si e tillë është obligim qytetar i yni si përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Bizneset kosovare qëndrojnë pranë qytetarëve tanë në veri të vendit, duke iu ofruar produkte esenciale ushqimore në mënyrë që të mos iu mungon asgjë”, ka shkruar Shala në Facebook.

Tutje ministri Shala ka thënë që sovraniteti do të jetë i shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke shtuar se qytetarëve nuk do t’i mungojë asnjë produkt.

“Ne do te vazhdojmë te shtrijmë sovranitetin e vendit në çdo pjesë të 10887 km katrorë. Asnjë qytetari të Republikës së Kosovës nuk do të i mungoj asnjë produkt, tregu ynë është i hapur dhe ofron të gjitha produktet e nevojshme për një jetë të dinjitetshme”, ka theksuar ai.

Në anën tjetër edhe Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me komunitetin e biznesit kanë organizuar hapjen e përkohshme të pikave shitëse në veri të Mitrovicës. Kështu ka bërë të ditur kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’.

Sipas tij, ky aksion, i koordinuar dhe i planifikuar, ka për qëllim ofrimin e të gjitha produkteve elementare për banorët e asaj ane.

“Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim”, ka njoftuar Haradinaj.