MSA-ja Rrit Standardet dhe Cilësinë

Bizneset u informuan në lidhje me kërkesat  që dalin për to nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha se Kosova si palë kontraktuese ka obligime që dalin nga MSA-ja për përmbushjen e kushteve dhe standardeve për të çuar përpara qëllimin dhe objektivin për eksport.

“Objektivi kryesor dhe final është krijimi i një zone të tregut të lirë me 28 shtete të Bashkimit Evropian dhe ta rrisë konkurrencën për bizneset kosovare për një treg prej 500 milionë banorësh,” tha Bajrami.

Po ashtu, ajo tha se me këtë marrëveshje bizneset kosovare do të përfitojnë më së shumti.

Sipas Bajramit MSA-ja pritet që t’i sjellë mjaft dobi ekonomisë dhe rritje të produktivitetit dhe qeveria është e përkushtuar për bërjen e reformave të duhura që dalin nga kjo marrëveshje.

Sytrime Dervisholli, drejtoreshë e Departamentit të Tregtisë në MTI, tha se tetëdhjetë për qind e MSA-së ka të bëjë me tregtinë, me rregullimin e tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE).

Ajo tha se Kosova mund t’i eksportojë të gjitha prodhimet pa asnjë ngarkesë doganore me BE-në, por aktualisht vetëm mishi i viçit, sheqeri dhe vera kanë kuotë për eksporte.

Eksperti nga Bashkimi Evropian, Raymond O’Rourke, tha se të gjithë ata qëdëshirojnë të eksportojnë duhet t’i përmbushin kushtet dhe kriteret për nga cilësia e prodhimeve.

Sipas tij, prodhuesit duhet të jenë të vëmendshëm për kriteret që ka përcaktuar BE-ja. Prodhuesit dhe bizneset duhet ta rrisin cilësinë, veçanërisht te produktet e mishit dhe produktet tjera ushqimore.

Aktualisht sipas O’Rouke, Kosova mund të eksportojë vetëm biskota.

Prodhuesit vendorë që ishin prezentë në këtë tryezë shfaqën interesimin për kushtet dhe kriteret të cilat i cakton tregu i BE-së.

Kjo marrëveshje do të fillojë të zbatohet nga muaji prill i këtij viti dhe Kosova ka lidhur marrëveshje për 99.7 për qind të produkteve të saja.

1,204 produkte apo 68.56 për qind, do të liberalizon menjëherë nga hyrja në fuqi e marrëveshjes, në këtë grup janë 160 produkte bujqësore, të cilat lirohen nga detyrimet doganore.

Pjesa e mbetur prej 541 produktesh bujqësore do të liberalizohen brenda 5, 7 dhe 10 vjetësh pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes.

KALLXO.com edhe më herët ka shkruar për rrugën e bizneseve kosovare drejt tregut evropian.

http://kallxo.com/msa-rruga-e-bizneseve-kosovare-drejt-be-se [interaction id=”56df4be54ab46a0103a69280″]