MSA-ja Ndihmon në Matje Pa Hile

Për standardizimin e mjeteve matëse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë organizoi takimin informativ në  kuadër të projektit për mbështetjen e lëvizjes së lirë të mallrave në Kosovë.

Ky projekt ka për synim t’u sigurojë ndihmë teknike aktorëve kryesorë të cilët marrin pjesë në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, në veçanti ato që lidhen me sigurinë e produkteve dhe infrastrukturën e cilësisë.

Avni Kastrati, zëvendësministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se me këtë projekt bizneseve dhe konsumatorit u ofrohen cilësi dhe matje e garantuar.

“Ky projekt është element kyç në marrëdhëniet ndërkombëtare. Do të bëhet eliminimi i baraspeshave dhe do të ofrojë matje të garantuar për biznesin dhe konsumatorin,” tha Kastrati.

Ai gjithashtu deklaroi se standardizimi i këtyre mjeteve matëse vjen nga obligimi që Kosova ka karshi marrëveshjes së MSA-së.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës Isa Elshani, foli për rëndësinë e mjeteve matëse dhe përgjegjësinë që kanë në palët e përfshira.

“Qëllimi kryesor do të jetë përmbushja e direktivave për mjetet matëse dhe ofrimi i shërbimeve të shpejta dhe kualitative. Gjithashtu, mbrojtja e konsumatorit do të jetë në nivelin më të lartë,” tha Elshani.

Në fund u bë prezantimi i detajuar i projektit dhe të pranishmit diskutuan për direktivat që vijnë nga ky projekt.