MPJ: Serbia të distancohet nga praktikat e politikave të Millosheviqit

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas lajmit të publikuar nga KALLXO.com për arrestimin nga Policia serbe të mërgimtarit Ibrahim Matoshi nga Vërbica e Kmetocit te pika kufitare e Dheut të Bardhë.

Përmes një komunikate, MPJ thotë se nëpërmjet Zyrës së saj Ndërlidhëse në Republikën e Serbisë ka konfirmuar sot në orët e pasdites edhe një rast tjetër të ndalimit dhe arrestimit të një bashkëkombasi, përderisa ai ka qenë duke kaluar nëpër territorin e Serbisë.

“Sipas informacioneve të para të siguruara nga Zyra Ndëlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, personi në fjalë është ndaluar për veprat penale, që janë në kundërshtim me Ligjin penal të ish-RSJ-së Neni 125 i ndërlidhur me Nenin 139 (i dyshuar për veprën penale për terrorizëm), aktakuzë kjo e ngjashme si edhe për raste të tjera ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës që nga periudha e Luftës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Ndalimet dhe arrestimet e vazhdueshme të shtetasve të Republikës së Kosovës nga shteti fqinj mund të vlerësohen si një gjueti shtrigash nga autoritetet e këtij shteti dhe praktika të politikave të Millosheviqit, thekson MPJ.

Ministria i ka bërë thirrje fqinjit verior që urgjentisht të ndalë keqtrajtimet, maltretimet dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës, që në kohën e pushimeve po e shfrytëzojnë shtetin fqinj si rrugë transiti.

Ministria e Punëve të Jashtme edhe njëherë i ka bërë thirrje Bashkimin Europian, shteteve të Kuintit dhe komunitetin ndërkombëtar që urgjentisht t’i tërheqin vërejtjen shtetit fqinj ndaj sjelljeve të tilla dhe kërkon me ngulm lirimin e menjëhershëm të mërgimtarit Ibrahim Matoshi.

https://kallxo.com/policia-serbe-arreston-mergimtarin-nga-gjilani/

KALLXO.com raportoi sot për shqetësimin e familjarëve të mërgimtarit Ibrahim Matoshi, i cili, sipas tyre, është arrestuar pasi ka kaluar nga Kosova në territorin e Serbisë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Familjarët thanë se nuk e dinë arsyen e arrestimit të tij dhe treguan se të njëjtën pikë kufitare dhe të njëjtën rrugë e kishte përshkuar kur kishte ardhur në Kosovë nga Gjermania, shtetas i të cilës është ai.