MPJ reagon pas ndaljes së ish-ushtarit të UÇK-së nga policia maqedonase

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar pas ndalimit të ish-ushtarit të UÇK-së Tomor Morina nga Policia e Maqedonisë së Veriut.

Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se ky ndalim është i sponsorizuar nga Serbia.

Tutje Zyberaj ka thënë se ndalimi i Morinës është keqpërdorim politik i shtetit serb, duke shtuar se do të njoftojnë Bashkimin Evropian që të parandalohen rastet e tjera të mundshme.

Ai ka thënë se janë në kontakt me autoritetet e Shkupit lidhur me këtë rast.

Publikimi i plotë i Zyberajt:

“Dënojmë ndalimin e ish-Ushtarit të UÇK-së Tomor Morina nga Policia e Maqedonisë së Veriut sipas një njoftimi të Interpolit të sponsorizuar nga shteti serb.

Kjo është përsëri një shembull i keqpërdorimit politik që Serbia* bën me sistemin e flet-arrestit. Ne do ta ngremë çështjen tek Bashkimi Evropian dhe do të kërkojmë veprime të menjëhershme për të parandaluar raste të tilla të keqpërdorimit nga Serbia*, përndryshe kundërmasat do të merren nga ana e Kosovës. E pastaj, askush nga partnerët nuk duhet të “habitet”.

Jemi në kontakt me autoritetet e Shkupit dhe besojmë së rasti do të zgjidhet se shpejti në frymën e bashkëpunimit të ngushtë që kemi më Maqedoninë e Veriut. Falënderim për të gjitha autoritetet në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për lidershipin shqiptar atje.

*Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit(pas luftës së dytë botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera.

Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon”, ka shkruar ai.