Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

MPJ reagon pas ndalimit të pjesëmarrjes së Kosovës në konferencën e cila pritet të mbahet në Beograd

Ministria e Punëve të Jashtme, ka reaguar në lidhje me pengesat dhe moslejimin e pjesëmarrjes së delegacionit të Republikës së Kosovës në konferencën “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, e cila është paraparë të mbahet sot dhe nesër në Beograd.

Sipas MPJ-së Serbia po shkel marrëveshjen për përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat  Rajonale dhe lirinë e lëvizjes.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kishte ndërmarrë me kohë të gjitha hapat dhe veprimet dhe kishte njoftuar autoritetet përgjegjëse të shtetit fqinj në lidhje me vizitën dhe përbërjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje, por vetëm disa orë para mbajtjes së aktivitetit është njoftuar nga Qeveria e Serbisë se “delegacioni nga Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të marrë pjesë në konferencë”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

MPJ ka vlerësuar se këto veprime nga Beogradi, veç të tjerash i kanë pamundësuar Republikës së Kosovës përcjelljen e trendëve rajonale dhe qasjes ndaj pozitës së komunitetit rom në rajon dhe janë në kundërshtim të plotë me përkushtimin deklarativ për bashkëpunim rajonal, frymën dhe vlerat evropiane dhe zotimin e shprehur për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

Konferenca e paraparë të mbahet sot dhe nesër ishte organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal -RCC, nga Zëvendës-Kryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, nga Trupi Koordinues për Monitorimin e Implementimit të Strategjisë për Përfshirjen Sociale të Romëve në Republikën e Serbisë dhe CARE International.