Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli gjatë vizitës zyrtare në Portugali, Foto: MPJ

MPJ: Portugalia mbështet liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se shteti portugez i ka dhënë mbështetje Kosovës për liberalizim të vizave dhe anëtarësim në Interpol.

Sipas një njoftimi të zyrës për media të MPJ-së, Pacolli po realizon vizitën e parë zyrtare në nivel të një ministri të Jashtëm të Republikës së Kosovës në Republikën Portugeze, ku është pritur nga homologu  Augusto Santos Silva dhe përfaqësues të tjerë të lartë.

Në njoftim thuhet se Pacolli ka siguruar mbështetjen e shtetit pritës për procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës si dhe për anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të Kosovës në INTERPOL.

“Republika Portugeze do ta mbështet Republikën e Kosovës në procesin e liberalizimit të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe anëtarësimin e plotë dhe të barabartë të vendit tonë në INTERPOL. Kjo mbështetje e shtetit tonë mik dhe partner mu ri-konfirmua gjatë takimit bilateral, që zhvillova në Lisbonë me homologun tim, Ministrin e Jashtëm të Republikës Portugeze, Augusto Santos Silva. Kosova dhe Portugalia do të intensifikojnë bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh dhe fakti që ne kemi vendosur që ta hapim Ambasadën tonë në Lisbonë brenda disa javëve është dëshmia më e mirë e këtij përkushtimi institucional”, ka thënë Pacolli.

Portugalia e ka njohur pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008.