MPJ Përzgjodhi Kandidatin me Fakultet të Fizkulturës Zyrtar për Viza

Në platformën KALLXO.com është raportuar se Valon Xhelili është punësuar në këtë pozitë, ani pse kishte përfunduar shkollimin që s’kishte të bënte asgjë me postin në të cilin është zgjedhur.

Lidhur me këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme, e cila ka njoftuar se vendimi për kandidatin Valon Xhelili është anuluar.

Ministria e Punëve të Jashtme i ka thënë KALLXO.com se Valon Xhelili edhe pse ishte zgjedhur si zyrtar për viza ai asnjëherë nuk ka dalë në punë, për shkak të ankesave që janë bërë për këtë përzgjedhje.

“Ju njoftojmë se pas hapjes së konkursit për pozitën zyrtar i lartë për viza dhe pas procedurave të mëtejmë, kandidat i suksesshëm për këtë pozitë është shpallur Valon Xhelili dhe pala është njoftuar më datë 14.04.2016 në orën 15 e 56 minuta. Z.Xhelili nuk e ka ushtruar këtë detyrë as një ditë të vetme për shkak të ankesave të paraqitura nga palët tjera dhe më pas është anuluar i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën në fjalë. Njoftimi i anulimit është bërë më datën 29.08.2016”, thuhet në përgjigjen që MPJ i ka kthyer KALLXO.com.

Pas kësaj, KALLXO.com i ka shkruar përsëri Ministrisë për të pyetur se cilat kanë qenë arsyet e anulimit të vendimit dhe se çfarë masash janë ndërmarrë ndaj komisionit që kishte përzgjedhur Valon Xhelilin si kandidat të suksesshëm, mirëpo MPJ nuk ka kthyer përgjigje.