Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli - Foto: KALLXO.com

MPJ: Nuk kemi ‘listë të zezë’ me emrat e zyrtarëve serbë

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës përgënjeshtron raportimet e mediave serbe për ekzistencën e një “liste të zezë” apo ndonjë vendimi nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, përmes të cilave u ndalohet hyrja apo vizitat eventuale në territorin e Kosovës zyrtarëve më të lartë të Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme rikujton se për dallim nga praktikat e hartimit të “Listave të Zeza”, dhe “personave të padëshiruar” nga shteti fqinj, që kanë përfshirë, por nuk janë kufizuar vetëm në ndalimin dhe moslejimin e hyrjes në teritorin e tyre të sportistëve, artistëve, akademikëve, shtetasve ordiner, që kanë vizituar të afërmit e tyre dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetëror nga Republika e Kosovës, Institucionet e Kosovës kanë zbatuar në frymë dhe në shkronjë Marrëveshjen e Brukselit, e cila specifikon në mënyrë të qartë se si zhvillohen vizitat e zyrtarëve të lartë në të dyja shtetet respektive”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Po ashtu, MPJ shpreh keqardhje të thellë që mediat në shtetin fqinj edhe dy dekada pas përfundimit të luftës vazhdojnë të publikojnë lajme të rreme, “që burojnë nga politika propaganduese e pushtetit në Serbi, duke shkelur seriozisht parimet themelore të profesionit që tyre për raportimin e lajmeve të vërteta, të sakta, të pavarura, të paanshme dhe profesionale”.