Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

MPJ: Ndërkombëtarët t'i Bëjnë Apel Serbisë të Distancohet nga Provokimet

Ministria e Punëve të Jashtme ka komentuar arrestimin dhe deportimin e sotëm që iu bë shefit të Zyrës për Kosovë në Serbi, Marko Gjuriqit.

MPJ përmes një komunikate ka kërkuar nga shtetet e Kuintit, BE-ja dhe komuniteti ndërkombëtar që t’i bëjnë thirrje Serbisë të distancohet nga veprimet provokuese.

“Ministria e Punëve të Jashtme thërret Shtetet e Kuintit, Bashkimin Evropian dhe komunitetin ndërkombëtar në përgjithësi që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

MPJ i ka cilësuar veprimet e tilla të zyrtarëve serbë si provokim dhe tentim për të eskaluar situatën në terren.

Hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë në territorin e Republikës së Kosovës është një provokim, tentim eskalimi i situatës në terren për të forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhënieve ndëretnike”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Sipas komunikatës, Kosova dhe Serbia në kuadër të dialogut kanë marrëveshje e cila tregon rregullat dhe procedurat se çfarë duhet ndjekur në raste kur ka vizita të tilla të zyrtarëve të lartë të të dyja shteteve.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se veprimi i sotshëm ilegal i zyrtarëve të lartë nga fqinji verior ishte shkelje e rëndë jo vetëm e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, por edhe e Marrëveshjes së Brukselit”, thuhet tutje në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.