Takimi i Haradinajt me zëvendësministrat | Foto: ZKM

MPJ kërkon nga ambasadat e Kosovës në botë përkrahje logjistike për zëvendësministrat

Qeveria e Kosovës ka bërë plan që të sigurojë qëndrime sa më të lehta të delegacioneve kosovare nëpër shtete të ndryshme të botës.

Kjo duke përfshirë edhe rreth 80 zëvendësministrat e qeverisë ‘gjigande’ me në krye Ramush Haradinaj.

Ambasadave të Kosovës nëpër vendet e ndryshme të botës iu është dërguar një udhëzim nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Në emailin e siguruar nga KALLXO.com Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm i ka dërguar ambasadave, ambasadorëve dhe shefave të misioneve me udhëzim për trajtimin e delegacioneve.

“Duke u nisur me përgjegjësi të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore , ju udhëzojmë që gjatë vizitave të niveleve të larta përfaqësuese (President, Kryetar Kuvendi, Kryeministër, Ministër i Jashtëm dhe Ministra të dikastereve tjera) të jeni në disponim që të ofroni përkrahjen tematike dhe logjistike edhe në kushte të presionit kohor”, thuhet në email.

Në email përmendet që përkrahja tematike dhe logjistike duhet t’i ofrohet edhe zëvendësministrave.

“Gjithashtu ju udhëzojmë që përkrahja tematike dhe logjistike t’i ofrohet zv.Ministrave dhe Delegacioneve profesionale të MPJ-së dhe Ministrive tjera me qëllim të mbarëvajtjes dhe bashkëpunimit me shtetet pritëse dhe organizatave tek të cilat janë të dekretuar”, thuhet në email.

Megjithatë nuk dihet nëse kjo ministri i ka njoftuar ambasadat me identitetin e të gjithë zëvendësministrave të Kosovës, emrat e të cilëve nuk kishte ditur as kryeministri.