MPJ i reagon Serbisë për ankesat e saj për 'Pengimin e Zyrtarit Ndërlidhës'

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës i hedh poshtë dhe i vlerëson si tërësisht të pavërteta, të papërgjegjshme dhe të papranueshme deklaratat e Institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në lidhje me pretendimet për kinse “pengesat, të cilat Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë i ka hasur gjatë kryerjes së obligimeve të tij”, në Republikën e Kosovës.

Në një njoftim për media Ministria e Punëve të Jashtme bën të ditur se sipas informacioneve të saj të siguruara nga Institucionet përgjegjëse të linjës rikonfirmon se Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës nuk ka pasur asnjë pengesë dhe vështirësi në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, ashtu siç përcaktohen me Marrëveshjen e Brukselit.

“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson punën, rolin dhe angazhimin konstruktiv të Zyrtarëve Ndërlidhës, të cilët që nga emërimi i tyre kanë kontribuar në zhvillimin e një komunikimi të mirëfilltë në mes të Institucioneve të të dyja shteteve dhe në mbështetje të kësaj inkurajon zgjerimin e fushëveprimit të tyre”, thuhen ë reagimin e MPJ-së.

“Sa i përket pretendimeve dhe akuzave të pabaza për mospërmbushje të detyrave, që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit për Zyrat Ndërlidhëse, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se Policia e Republikës së Kosovës do të jetë në kohën dhe vendin e caktuar nga Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë dhe do t’i përmbushë detyrat dhe obligimet e veta me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, ashtu siç ka vepruar çdoherë deri më tash”, përfundon reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme.