Enver Hoxhaj

MPJ: Deklaratat e Daçiqit, Provokime ndaj Stabilitetit në Rajon

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka dënuar ashpër deklaratat që ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka bërë në lidhje me “gjoja sulme të diasporës  shqiptare në botë ndaj misioneve diplomatike të Serbisë”.

MPJ i konsideron këto deklarata “nxitëse, tendencioze dhe që kanë për qëllim ta mbajnë në tension rajonin”.

Po ashtu, sipas Ministrisë së Jashtme, gjuha e Daçiqit është gjuhë e viteve ‘90-ta dhe e frikës kur Serbia i orkestronte vetë sulmet që ua atribuonte të tjerëve.

“Për Ministrinë e Jashtme të Kosovës deklaratat e Daçiqit janë të papranueshme dhe si të tilla të paqëndrueshme. Ato janë nxitëse dhe tendencioze, të cilat i kontribuojnë destabilizimit dhe prishjes së procesit të normalizimit të marrëdhënieve”, thekson MPJ në një komunikatë.

Në këto rrethana, vazhdon komunikata, akte të tilla të dhunës mund të orkestrohen nga vetë shteti serb, në mënyrë që t’i atribuohen pastaj diasporës shqiptare.