Merdare - Foto: KALLXO.com

MPJ apelon te qytetarët për kujdes dhe shmangie të qarkullimeve nëpër Serbi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar kujdes nga qytetarët e Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë.

Sipas MPJ-së, Serbia nuk është më një territor që ofron as siguri minimale për qytetarët kosovarë.

“Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në komunikatë.

Ministria ndër të tjerash ka njoftuar se ky paralajmërim vjen pas arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të Serbisë, që sipas tyre gjithmonë ndodhë në rrethana fiktive dhe se siç thonë ata, një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht.

“Bazuar në këto zhvillime, Ministria e Punëve të Jashtme ka bazë dhe evidencë të mjaftueshme të konstatoj që ndaj të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Serbia, pa përjashtim, për qëllime politike dhe qëllime tjera jo demokratike, në kundërshtim me praktikën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar dhe me të drejtën ndërkombëtare dhe atë evropiane, si dhe në kundërshtim më obligimet që dalin nga marrëveshjet e Brukselit, jashtëligjshëm, mund t’ju ndaloj arbitrarisht kalimin në territorin e saj”, vijon më tej komunikata.

MPJ ndër të tjerash thekson se institucionet vendore vazhdojnë të kërkojnë nga Bashkimi Europian që të korrigjojnë sjellët e Serbisë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt”, thuhet në njoftim.

Sipas ministrisë, ndryshe nga këto praktika siç thonë “primitive” të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, “dhe për dallim, nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”

“Ftojmë Serbinë, që përfundimisht të heq dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranoj faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike. Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim”, përfundon komunikata e MPJ-së.

Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, vjen pasi gazetarëve dhe pjesëtarëve të organizatave nga Kosova po u kundërshtohet me protesta pjesëmarrja në festivalin kulturor “Mirëdita, dobar dan!” që po mbahet në Beograd të Serbisë.

KALLXO.com ka raportuar mbrëmë se në kohën derisa para të pranishmëve në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!” ishte duke u shfaqur dokumentari për Ferdonijen, në Beograd, një grup i protestuesve serbë janë mobilizuar për të kundërshtuar mbarëvajtjen e festivalit.

Protestuesit të cilët ishin në numër shumë më të madh se dje kanë dashur të thyejnë kordonin e Policisë dhe të futen në vendin ku po transmetohet dokumentari.

‘Mirëdita, dobar dan!’, mes protestave dhe bashkëpunimit ndërkulturor