Foto: MPB

MPB thotë se po e menaxhon mirë çështjen e azilkërkuesve në Kosovë

Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi, priti në takim shefin e  ri të misionit të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët (UNHCR) në Kosovë, Erol Arduc, i cili shoqërohej nga Narasimha Rao, ish-shef i misionit.

Gashi i uroi për detyrën Arduc, duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me misionin e UNHCR-it në Kosovë,

Ministri Gashi shprehi gatishmërinë për bashkëpunim edhe me shefin e ri, me qëllim të realizimit të projekteve të përbashkëta.

“Në këtë takim po ashtu u diskutua edhe për projektet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe UNHCR-së në fushën e migrimit, duke vlerësuar se institucionet e Kosovës janë duke menaxhuar mirë çështjen e azilkërkuesve në Kosovë”, thuhet në njoftimin për media të MPB-së.

Ministri Gashi falënderoi Rao-n për punën që ka bërë gjatë misionit të tij, veçanërisht për Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ministri Gashi konstatoi se Republika e Kosovës, “tashmë ka konsoliduar një mekanizëm funksional në fushën e migrimit dhe po punohet në ngritjen e kapaciteteve operacionale në këtë fushë”.

Ndërsa ish- shefi i misionit të UNHCR në Kosovë, Narasimha Rao, e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe MPB-në në përgjithësi, për mundësitë që gjatë qëndrimit të tij në Kosovë të gjejë partner serioz për të realizuar objektivat e përbashkëta.

Ai theksoi se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe më shefin e ri.