MPB: Nuk është aksidentuar ministri Ekrem Mustafa

Lajmin se është aksidentuar Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa e ka demantuar përmes një reagimi kjo ministri.

“Ministria e Punëve të Brendshme ju njofton se sot rreth orës 09:00 në një aksident trafiku në lagjen Arbëria në Prishtinë, njëra nga dy veturat e përfshira në aksident është e MPB-së. Në këtë veturë kanë qenë 4 zyrtarë të kabinetit të ministrit Mustafa. Ju njoftojmë që në veturën në fjalë nuk ka qenë ministri i Punëve të Brendshme, z.Ekrem Mustafa”, është thënë në reagimin e MPB-së.

Edhe zëdhënësja për informim për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti tha për KALLXO.com se nuk është aksidentuar ministri por një veturë zyrtare e ministrisë.

Ndërsa, zëdhënësi për informimin i QKUK-së, Shpend Fazliu tha për KALLXO.com se 3 persona kanë kërkuar ndihmë nga një aksident dhe se ata kanë pasur lëndime të lehtë.

“Zyra për informim në QKUK, ju informon  se 3 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e një aksidenti në komunikacion. Sipas mjekëve emergjent, ata kanë pasur lëndime të lehta. Njëri nga ta, pas tretmanit mjekësor është liruar për në shtëpi. Ndërsa të tjerët janë ende duke u trajtuar në Qendrën Emergjente”, tha Fazliu.