Skender Hyseni, Ministër i Punëve të Brendshme I Foto: Kallxo.com

MPB: 500 mijë Euro për Siguri Kibernetike

Për vitin 2017 Ministria e Punëve të Brendshme ka paraparë të investojë 500 mijë euro në fushën e teknologjisë informative.

Këto mjete ministria planifikon t’i investojë për rritje të sigurisë së informatave të ndjeshme të vendosura në faqen e saj elektronike.

Për sigurinë kibernetike gjatë dy vjetëve të ardhshëm 2017-2019 planifikohet të harxhohen 1 milion e gjysmë euro.

Shpenzimin e 500 mijë eurove për mbrojtje të të dhënave, Ministria e Punëve të Brendshme e arsyetoi për KALLXO.com me nevojën që ato të mos vidhen gjatë transmetimit të tyre.

“MPB mban të dhëna të rëndësishme dhe të ndjeshme ku nevojitet siguria gjatë transmetimit të të dhënave,“  thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Ministria tregon edhe qëllimin e projektit për rritjen e sigurisë kibernetike.

“Projekti ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike, më qëllim të ngritjes së sigurisë së komunikimit elektronik përmes enkriptimit të të dhënave gjatë transmetimit, duke shfrytëzuar pajisje dhe softuerë të ndryshëm për enkriptim,” sqaroi për KALLXO.com Ministia e Punëve të Brendshme.

Enkriptimi është proces që pengon qasjën dhe modifikimin e të dhënave personale nga personat e paautorizuar.

Për Kallxo.com, MPB tregon se është ballafaquar me sulme kibernetike

“Ka pasur disa raste kur CERT i MPB-së është ballafaquar dhe ka trajtuar sulme kibernetike, e veçanërisht sulme të llojit phishing ( fishing ),” tregon ministria.

CERT është shkurtesa për ekipet e ndërhyrjes së shpejtë ndaj përpjekjeve për ndërhyrje në sistemet kompjuterike të ndonjë organizate, ndërsa fjala phishing nës hqip ka kuptimin e përdorimit të karremit ndaj viktimave, për të vjedhur të dhënat personale të tyre.

Në “Strategjinë Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Planit e Veprimit 2016-2019” janë paraparë mes tjerash mbrojtja e fushës kritike të informacionit, reagimi ndaj incidenteve që cenojnë sigurinë kibernetike dhe ngritja e kapaciteteve për ta zhvilluar “këtë betejë”.

Derisa në Kosovë edhe përballja me sulme të mundshme kibernetike, por edhe luftimi i tyre janë një dukuri kryesisht e re, në Amerikë dëmet që shkaktohen nga vjedhja e të dhënave personale konsiderohen shumë të mëdha.

Zakonisht ata që keqpërdorin të dhënat personale, këtë shpesh e bëjnë duke ndërtuar faqe të ngjashme interneti me ato zyrtaret që mbajnë të dhëna të tilla të ndjeshme.

Aktualisht në vebfaqen e MPB-së mund të aplikohet online për patentë-shofer, ndërsa online mund të bëhen edhe kërkesat për qasje në dokumente zyrtare.