Moti nesër, temperatura bie nën zero

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se mëngjesi i së mërkurës parashihet të jetë ndjeshëm i ftohtë pasi që merkuri në termometër do të shënojë vlera rreth zeros.

“Kjo si pasojë e prezencës së masave të ajrit me origjinë nga veriu. Mirëpo, gjatë ditës do të ketë masa aktive të ajrit nga drejtimi i juglindjes dhe do të ndikojnë dukshëm në rritjen e temperaturave maksimale. Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet 1-2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius. Në viset malore temperaturat minimale parashihen të zbresin deri -1 gradë Celsius”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Por bëhet e ditur se kjo situatë termike nuk do të ndikojë negativisht në fushën e pemëtarisë, pasi që këto vlera të temperaturave të ulëta do të mbesin në intervale të shkurta kohore.

Do të fryjë erë e lehtë kryesisht nga drejtimi i juglindjes, e lehtë deri mesatare.

Ndërsa IHMK për të enjten paralajmëron mot me shi.

“Fushat me presion të ulët atmosferik të cilat ishin prezent ditëve të fundit, janë duke u zhvendosur drejt veriut të kontinentit, për t’u zëvendësuar me masa të ajrit me presion të rritur atmosferik. Kjo gjendje meteorologjike do të kushtëzoj mot me diell dhe vranësira, të cilat ditën e enjte, vende-vende do të sjellin reshje të dobëta shiu”, bën të ditur IHMK./21Media