Moti i vranët, me shira lokale

 

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se vendi ende do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ulët atmosferik.

Sipas IHK-së, kjo gjendje meteorologjike do të kushtëzojë mot me vranësira të dendura, të cilat do të shoqërohen me reshje shiu.

“Këto reshje parashihet të përfshijnë gjithë territorin e vendit tonë, por intensiteti i tyre si gjithherë nuk do të jetë i njëjtë, për shkak të specifikave klimatike që ka vendi ynë. Gjithashtu edhe në fushat termike, sidomos në temperaturat maksimale do të ketë rënie të theksuara, ku ditën e martë maksimalet nuk do të kalojnë vlerat mbi 12 gradë Celsius. Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve, parashihet të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 12-17 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga juglindja dhe verilindja me shpejtësi 1-8 m/s”, bëhet e ditur në njoftimin e IHK-së.