Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Mospajtimet mes ministrave rreth titullit të raportit për Ngritjen e Minierës së Re të KEK-ut

Shqyrtimi i propozim vendimit të Grupit Punues Teknik për “Ngritjen e Minierës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës”, ka ngritur debat në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Ministri Valdrim Lluka, gjatë prezantimit të raportit tha se janë bërë hulumtime dhe se Grupi Punues ka  propozuar që në fushën jug të bëhen hulumtime shtesë, ndërsa të veprohet në fushën veri.

“Ky grup teknik ka propozuar që të jetë orientimi strategjik në një anë, pra në jug, kurse për 10 vitet e ardhshme të veprohet në veri nga është momentalisht miniera”, tha Lluka.

Sipas tij hulumtimi fokusohet vetëm në anën ekonomike të minierës, por nuk e merr edhe anën sociale.

Ministri Besim Beqaj dhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj kanë thënë se titulli dhe përmbajtja e raportit kanë kundërthënie.

“Propozimi për vendim është për Ngritjen e Minierës së Re. E brendia e dokumentit  thotë diçka tjetër thotë për t`u zhvilluar hulumtime shtesë në fushën jug dhe në rast se këto hulumtime nuk janë rentabile atëherë KEK-u do të obligohet të shkoj në anën veri. Nëse ne po marrim vendim për ta autorizuar hulumtimin për t`i ditë rezervat aktuale është në rregull. Po nëse thuhet se ne po marrim vendim për ngritjen e minierës së re, miniera mund të ndërtohet vetëm atëherë kur ka  argumentim shkencor se ka mjete të mjaftueshme, sepse kjo minierë do të ndërtohet me paratë e buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ministri Besim Beqaj.

“Raporti ka kundërthënie rreth qëllimit zhvillimorë dhe çfarë do të ndodh, sa që nuk krijon pamje të saktë se çfarë vendimi po marrim në bazë të kësaj. Për me ngrit një minierë të re na keni sjellë 1 faqe tekst. Titulli dhe përmbajtja kanë kundërthënie”, shtoi zv/kryeministri Hoxhaj.

E Bedri Hamza, ka propozuar riformulim të titullit.

“A ka mundësi mu riformulu ‘vazhdimi i punës për përfundimin e hulumtimit për Ngritjen e Minierës së Re’.  Se nëse themi për Ngritjen e Minierës se Re është si punë e përfunduar”, shtoi Hamza.

Lluka është pajtuar me riformulimin e titullit dhe ky raport ka kaluar në qeveri.

Gjithashtu,  kabineti qeveritar  e ka miratuar edhe Draftin për zbatimin e Strategjisë së Energjisë 2018-2020.

Ministri Lluka, tha se strategjia e prezantuar parasheh furnizim të rregullt dhe efikas me energji elektrike për qytetarët e republikës së Kosovës.

Sipas Llukës kosto e të gjitha aktiviteteve të kësaj strategjie e ka vlerën 850 milion euro.