Shiritat e KEK-ut në Obiliq - Foto: KALLXO.com

Mosmarrëveshjet Kosovë- Serbi Dëmtojnë Tregun Europian të Energjisë

KOSTT-i, gjatë muajit dhjetor, kishte paralajmëruar se do të obligohet të tërheq energji elektrike nga rajoni, pasi nuk kishte mjete të mjaftueshme për mbulimin e kostos së furnizimit të katër komunave veriore me energji elektrike. Paralajmërimi i KOSTT-it ishte bërë pasi ZRRE-ja përmes një udhëzimi kishte rekomanduar që kosto e furnizimit të katër komunave veriore të hiqet nga tarifat e energjisë dhe në të njëjtën kohë nuk ishte dhënë asnjë zgjidhje nga qeveria apo ZRRE-ja se kush do të mbulonte atë kosto.

Pas tre muajve, tërheqja e energjisë elektrike nga tregu i rajonit ka shkaktuar çrregullime në tregun e energjisë elektrike në Europë. Për këtë ka reaguar edhe Rrjetin Europian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji Elektrike (ENTSO-E).

Ata përmes një njoftimi kanë thënë se mosmarrëveshja e energjisë midis Serbisë dhe Kosovës ka ndikuar në orët digjitale të energjisë në nivel Europian.

Sipas ENTSOE, Rrjeti Europian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike, Sistemi Kontinental Evropian i Energjisë ka përjetuar “një devijim frekuence të vazhdueshme të sistemit nga vlera e saj mesatare prej 50 Hz” që nga mesi i janarit 2018, dhe ky devijim sipas tyre vjen nga Serbia dhe Kosova.

ENTSOE thotë se devijimi i energjisë gjithashtu po ndikon në orët dixhitale, të cilat tani po tregojnë vonesa në kohë deri në gjashtë minuta.

“Rënia në mesataren e frekuencave po ndikon orët elektrike që drejtohen nga frekuenca e sistemit energjetik dhe jo nga kristal kuarci: ato tregojnë një vonesë prej afro gjashtë minutash”, thuhet në njoftimin për shtyp të publikuar të martën nga ENTSO-E.

“Energjia e humbur aktualisht shkon në vlerën 113 GËh. Pyetja se kush do të kompensojë këtë humbje duhet të marrë përgjigje”, potencohej në njoftim.

KOSTT në shkresën e tyre kishte shkruar se në bazë të çmimeve të energjisë në treg, kostoja e një furnizimi të tillë, përmes tërheqjes së energjisë nga rrjeti energjetik i rajonit (pra nga furnizues të tjerë), do të arrinte në 8.5 milionë euro nga dhjetori i vitit 2017 deri në muajin prill të vitit 2018.

“KOSTT këtë kosto financiare nuk mund ta mbulojë dhe për këtë duhet të sigurohet buxhet i veçantë. Në këto rrethana furnizimi me energji elektrike i pjesës veriore të Kosovës do të vazhdojë në mënyrë të padefinuar /paautorizuar do të evidentohet nga Koordinatori i Evropës Kontinentale, si obligim i Kosovës ndaj rajonit. KOSTT rekomandon që të sigurohet buxhet, për periudhën kohore deri në emërimin e furnizuesit, për mbulimin e kostos për energjinë evidentuar si obligim i Kosovës ndaj rajonit për sasinë e konsumuar në katër komunat e veriut të Kosovës”, thuhej në shkresën e KOSTT-it.

ENTSOE tha për BIRN se nuk do të komentojë më tej mbi shkaqet e këtij devijimi, përveç se kjo e ka burimin te Serbia dhe Kosova. Megjithatë, ENTSOE tha se devijimet duhet të ndalen.

Kosova dhe Serbia kanë histori të gjatë mosmarrëveshjesh mbi energjinë – dhe shumë gjëra të tjera.

Kosova u nda nga Serbia në një luftë të përgjakshme në fund të viteve 1990. Ajo shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia u zotua të mos e njoh kurrë.

Që kur lufta në Kosovë përfundoi në vitin 1999, qytetarët e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë, të cilat mbeten besnike ndaj Beogradit, nuk e kanë paguar energjinë që ata konsumojnë në ndërmarrjet e licencuara nga ZRRE-ja.

Për të kompensuar mungesën, njerëzit nga zonat e tjera të Kosovës kanë paguar për përdorimin e energjisë elektrike të veriut.

Gjykata Themelore e Prishtinës në shtator të vitit 2017 ka vendosur për pezullimin e vendimit të bordit të ZRRE-së për faturimin e kostos së furnizimit të veriut të gjithë konsumatorëve të rregullt të KEDS-it, ZRrE-ja është obliguar që të ndalojë këtë praktikë.

Ky vendim i Gjykatës ishte marrë sipas padisë  së Avokatit të Popullit.

Në dhjetor u tha se faturat e energjisë elektrike do të ulen me 3.5 për qind, pasi kishin vendosur të ndalojnë mbulimin e kostos së përdorimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore siç ka bërë gjatë 19 viteve të fundit.

Ndërkohë, qeveria e Kosovës të hënën ka ndarë një milion euro shtesë për kompaninë publike të energjisë të Kosovës për të mbuluar faturat e energjisë për komunat me shumicë serbe në veri.

ENTSOE, që përfaqëson 43 operatorë të sistemit të transmetimit të energjisë elektrike nga 36 vende në Evropë, tha të martën se devijimi mesatar i frekuencës së regjistruar nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe kjo “duhet të marrë fund”.

Në njoftim gjithashtu thuhej se Shoqata e Operatorëve të Sistemit të Transmisionit Europian (TSO), po shqyrton të gjitha opsionet për të adresuar çështjen e devijimit me TSO-të përkatëse.

“ENTSOE po i kërkon qeverive dhe krijuesve të politikave evropiane dhe kombëtare të ndërmarrin veprime të shpejta”, thuhej në njoftimin për shtyp.