Foto: REL/AFP

Moska Mohon se Helmi për Ish-Spiunin Rus Erdhi nga Rusia

Zyrtarët rusë kanë hedhur poshtë raportimet e gazetës britanike, se agjenti nervor, i përdorur në helmimin e ish-spiunit rus në Angli, ka ardhur nga një ndërtesë ushtarake në afërsi të lumit Volga.

Gazeta britanike The Times ka cituar burime të sigurisë të kenë thënë se agjenti nervor që Qeveria britanike e ka identifikuar si Novichok, është prodhuar dhe ruajtur në një objekt në qytetin Shikhany, rreth 800 kilometra në juglindje të Moskës.

Në këtë qytet rus është e vendosur njëra degë e Institutit Shtetëror për Kërkime Shkencore të Kimisë dhe Teknologjisë Organike të Rusisë.

Eksperti për armë kimike, Hashim de Bretton-Gordon i ka thënë gazetës se sipas informacioneve të inteligjencës që ai ka parë, është e qartë se agjenti ka ardhur nga ky objekt. Sasia e agjentit Novichok, që ruhet në këtë objekt, është e mjaftueshme për të kryer këto sulme, ka thënë ai.

Por, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka hedhur poshtë këto raportime, duke thënë se Britania po “përpiqet me dëshpërim çdo ditë që të gjejë një konfirmim të ri për pretendimet e saj”.

“Nuk ka armë të tilla kimike në këtë objekt. Ne kemi shkatërruar të gjitha armët kimike”, i ka thënë Lavrov agjencisë Interfax.

Rusia mohon vazhdimisht përfshirjen në sulmin me agjent nervor ndaj Sergei dhe Yulia Skripal.

Pas helmimit të Skripalëve, Britania dhe dhjetëra fuqi perëndimore kanë dëbuar mbi 150 diplomatë rusë, në kundërpërgjigje ndaj Rusisë.