Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian ndajnë rrugët - Foto: Ilustrim

Moscovici: Dyert e BE-së Mbesin të Hapura për Britaninë

Në rast se Britania dëshiron të shfuqizojë epilogun e referendumit që u zhvillua në vitin 2016 për largimin e vendit nga Bashkimi Europian, atëherë dyert e unionit do të jenë ende të hapura për Londrën, deklaroi sot Komisioneri europian për Ekonomi dhe Union Monetar, Pierre Moscovici.

Në një intervistë për mediat franceze, Moskovici, përndryshe ish-ministër i Financave i Francës, deklaroi se dyert janë ende të hapura dhe nëse britanikët ndërrojnë mendje, atëherë ata do të jenë të mirëseardhur.

Disa politikanë britanikë kanë propozuar organizimin e një referendumi të ri për atë se a duhet të largohet Britania nga unioni, por që votimi të zhvillohet pasi që të bëhen publike kushtet për largimin e Britanisë nga unioni dhe marrëdhëniet në të ardhmen mes Londrës dhe Brukselit.

Në anën tjetër, presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi se ai do të kishte pasur një qëndrim shumë më të ashpër në bisedat në Brexit, se sa që është qasja e tanishme të cilën e ka kryeministrja e Britanisë, Theresa May.

Britania po përgatitet që të largohet nga unioni në mars të vitit 2019, ndërsa bisedat po përparojnë ngadalë dhe krijohet përshtypja se qeveria e Meyit është e ndarë, kur bëhet fjalë për procesin e Brexit.

Trump tha se ai nuk do të negocionte në mënyrën se si po negocion qeveria aktuale dhe qartësoi se do të kishte një qasje krejt tjetër, por pa ofruar detaje më të hollësishme./21Media