Mosakreditimi i Tri Programeve të Doktoratës Çudit Drejtuesit e Fakulteteve

Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka prekur edhe programet e doktoratës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nga 23 programe që ky institucionin nuk i ka akredituar, janë tri programe të doktoratës, dy në Fakultetin Ekonomik dhe një në Fakultetin e Filologjisë.

Pretenduesit për doktoratë, këtë vit nuk mund t’ia mësyjnë regjistrimin në Ekonomiks në gjuhën shqipe,  Ekonomiks në gjuhën angleze  si dhe në drejtimin Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit.

Kjo për faktin që Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim ka marrë vendim që të pezullohen këto tri programe pasi kanë mangësi të stafit akademik.

23 programet e UP-së janë pezulluar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim ngase nuk kanë pasur tre bartës (profesorë) me tituj doktorature ashtu siç kërkohet me standardet e akreditimit.

“Për sigurimin e lidhshmërisë së hulumtimit dhe të mësimdhënies ky personel i përhershëm duhet të ketë së paku tre persona për secilin program studimi, prej të cilëve së paku njëri duhet të ketë statusin si profesor i rregullt (ordinar). Ky person duhet të dëshmojë kualifikim të lartë shkencor ose artistik”, thuhet në standardet e akreditimit.

Dekani i Fakultetit Ekonomik, But Dedaj, tha për KALLXO.com se dy programet e doktoratës Ekonomiks në gjuhën shqipe dhe Ekonomiks në gjuhën angleze janë të njëjtë dhe nuk ka nevojë të ketë gjashtë bartës (profesorë) për të mbrojtur këto programe ashtu siç kërkohet me standard të akreditimit.

“ Programet për të cilat bëhet fjalë e që janë në drejtimin Ekonomiks, janë programet e njëjta, vetëm se ofrohen në dy gjuhë: në atë shqip dhe angleze. Pra, janë programe të njëjta dhe mendoj se nuk ka nevojë të kemi nga tre profesorë për secilin nga këto programe, por tre profesor në total”, tha dekani Dedaj.

Ai tha se këto sqarime do ia ofrojë edhe Agjencisë së Kosovës për Akreditim duke i quajtur më shumë si teknike.

“Mendoj se kërkohet të dërgojmë sqarime teknike. Jemi në procedurë të mbledhjes së dokumenteve për të dërguar sqarimet dhe në shtator do të vazhdohet me këto programe”, u shpreh Dedaj.

Dekani Dedaj tha se dy programet që janë pezulluar janë më të mirat që i ka Fakulteti Ekonomik dhe sipas tij njëra ndër to ligjërohet në gjuhë angleze, e që sipas tij kjo është e ardhmja e UP-së.

“ Fakulteti Ekonomik ka kapacitete për ligjërata të tilla në gjuhën angleze dhe thellësisht besoj se për këto programe nuk do të bëhet fjalë për revokim të akreditimit, por këto do të zhvillohen më tutje në të ardhmen. E ardhmja e UP-së dhe e arsimit të lartë të Kosovës është ofrimi i programeve në gjuhën angleze”, deklaroi ai.

Programi i tretë i cili është pezulluar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim është ai i doktoratës për Gazetari dhe Shkencat e Komunikimit në Fakultetin e Filologjisë.

Shefi i degës së Departamentit të Gazetarisë, Milazim Krasniqi tha për KALLXO.com se vendimi i agjencisë për mbylljen e programit të doktoratës është vendim arbitrar dhe në kundërshtim me vendimin e mëparshëm të kësaj agjencie e cila para dy vjetësh ka dhënë akreditim deri në vitin 2019.

“Ky vendim nuk bazohet as në performacën e departamentit tonë, as në realitetin që ekziston në fakultetin tonë (ku disa mësimdhënës janë të zgjedhur me konkurs publik edhe në degën e gjuhës a letërsisë dhe të gazetarisë, pasi jemi një njësi akademike.) Vendimi nuk bazohet as në nevojat e tregut të punës, ku nevoja për gazetarë të specializuar dhe ekspertë të medies e komunikimit është në rritje enorme”, tha Krasniqi.

Krasniqi tha se nuk ka arsye për pezullimin e programit në nivelin master dhe doktoratë në Degën e Gazetarisë.

“Arsyeja reale nuk ekziston. E gjitha është një barazimtari burokratike, pa pasur asnjë vlerësim korrekt për cilësinë e studimeve dhe nevojave të tregut të punës”, deklaroi ai.

Profesori Krasniqi tha se Agjencia e Akreditimit po i shkel vendimet e veta meqë sipas tij, ky institucion ka akredituar institucionet e arsimit të lartë në vitin 2016/2019.

“Motivet e fshehta të këtyre veprimeve e vendimeve nuk i di. Por, e di se dëmi do të jetë shumë i madh. Ky vendim po orkestrohet edhe me disa vendime arbitrare të rektoratit për mosavancimin e mësimdhënësve, për mosfinancimin e Seminarit të Gjuhës, Letërsisë e Kulturës Shqiptare. Duket si një luftë kundër UP-së dhe veçmas kundër albanologjisë”, tha ai.

Madje Krasniqi tha se në Agjencinë e Akreditimit janë gati gjysma ekspertë të huaj, të cilët nuk i japin askujt përgjegjësi, “përveç nëse u japin ambasadave të huaja”.

Sipas Krasniqit, vendimi i Agjencisë së Akreditimit për degën e Gazetarisë mund t’i dëshpërojë studentët të cilët sipas tij mund të mos konkurrojnë në këtë vit akademik.

“Interesimi për regjistrim në Departamentin e Gazetarisë ka qenë gjithnjë i madh. Mesatarisht pesë kandidatë konkurrojnë për një indeks. Kandidatët, mbi 90 për qind janë nxënës me sukses shembullor. Por, ky suspendim mund t’i dëshpërojë e të mos konkurrojnë. Kjo do të ishte një humbje e madhe për të rinjtë që ëndërrojnë të bëhen gazetarë. Vërtet dëshpëruese”, pohoi ai.

Gjatë ditës së enjte një grup studentësh kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit “Haxhi Zeka” kundër menaxhmentit të këtij institucioni, të cilin e fajësuan për mosakreditimin e shtatë programeve nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë së Agjencisë së Kosovës për Akreditim.

http://kallxo.com/studentet-protestojne-kunder-drejtuesve-te-universitetit-te-pejes-per-mosakreditim/