Mos u Nisni Ilegalisht në Austri, Porosit Ministri

Dhuna nuk është zgjidhje dhe vendimet e marra në Bruksel duhet të zbatohen, janë porositë kryesore që iu dhanë ministrit të jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçi, nga homologu i tij austriak, Sebastien Kurz.

Në orët e vona të mbrëmjes, Hashim Thaçi zhvilloi takim bilateral me ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Austrisë, Sebastian Kurz.

“E dimë se jeni në një pozitë të vështirë. I kemi parë dritaret e thyera të qeverisë dhe dua të them: apel të gjithëve të heqin dorë nga dhuna dhe të përcaktohen për dialog demokratik. Dhuna nuk është zgjidhje duhet të dënohet”, deklaroi Kurz.

Ai shtoi se opozita duhet në mënyrë demokratike të bashkëpunojë me qeverinë dhe se vendimet e marra në Bruksel duhet të zbatohen ngase “nuk ka rrugë tjetër”.

Kurz porositi që të vazhdohet me reformat në ekonomi, të luftohet korrupsioni e të forcohet shteti juridik në mënyrë që investitorët që janë këtu të mbesin e të tjerë të vijnë.

“Nuk ka shanse për migrim ilegal në Austri e as Evropë. Kush tenton të ikë në mënyrë ilegale do të kthehet përsëri në një kohë të shkurtër”, u shpreh ai.

Ndërkohë që Thaçi falënderoi punën e shtetit austriak për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë, përmendi dhe kontributin e këtij shteti për anëtarësimin e Kosovës në “organizata rajonale, evropiane dhe botërore”.

“Jemi në rrugë të mbarë për liberalizim ndërsa do të vazhdojmë të implementojmë të gjitha marrëveshjet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.

“Do t’i kushtojmë rëndësi të madhe edhe komunikimit të brendshëm politik në Kosovës”, u shpreh ai.

I pyetur nëse ky është takimi i fundit i tij në postin e ministrit të jashtëm, Thaçi nuk e përjashtoi këtë mundësi.

“Do të isha i kënaqur dhe do të ishte moment i veçantë në karrierën time politike që këtë periudhë diplomatike ta përmbyll me z. Kurz. Pavarësisht përgjegjësive institucionale, ne do të takohemi prapë. E për zgjedhjen do te informoheni ditët në vazhdim”, tha ai.

E homologu i tij shprehi kënaqësi t’a takoj edhe në pozitën e të parit të vendit.

“Me kënaqësi do ta takoja edhe kur te behet president”, tha Kurz.