Molliqaj: Procesi i dialogut ka nisur mbrapsht

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, tha se debati parlamentar për dialogun me Serbinë po ndodh shumë vonë në Kosovë dhe kjo vetëm pas presionit të shoqërisë civile dhe partive opozitare.

“Kemi nisjen e procesit krejtësisht mbrapsht. Ne po dialogojmë me një shtet që nuk e njeh Kosovën dhe që ka aspirata ndaj Kosovës”, tha Molliqaj.

Sipas Molliqaj në krejt historikun e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Kosova gjithmonë ka shkuar në dialog si palë pa platformë dhe pa projekt të zgjidhjes së problemit të Kosovës në raport me Serbinë.

“Kemi një qeveri dhe president në shtetin fqinj i cili ka pretendime ndaj nesh, i cili e ka ndërtuar një platformë për disa muaj, dialogu dhe diskutimi se çka do të kërkoj në raportin e ri ose në marrëveshjen e re që do të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë. Ku është pala e Kosovës? Pala e Kosovës është kush po e drejton dialogun, do që dojnë mi thy këmbët, e i pari është Hashim Thaçi i cili do veç me qenë në dialog, e plot do të tjerë që herë i bashkëngjiten, e herë ofrohen me zëvendësu atë”, shtoi Molliqaj.

Sipas tij mbrapsht janë duke e nisë, e pashmangshëm mbrapsht ka me dalë.

Molliqaj tha se rezoluta e Kuvendit kërkon normalizimin e situatës, që ajo të kthehet në binar.