Dardan Molliqaj - Foto: Facebook/DardanMolliqaj

Molliqaj ofron "fakte", që Konjufca ka punuar në ShIK

Deputeti i PSD-së, Dardan Molliqaj, në Kuvendin e Kosovës ka prezantuar disa të dhëna për ish-bashkëpartiakun e tij nga Vetëvendosja Glak Konjuca duke thënë se ai i ka shërbyer ShIK-ut.

Ai tha se po jep deklarata shtesë të cilat e vërtetojnë se Konjufca ishte pjesë e ShIK-ut.

“2000 – 2001 është viti kur Konjufca ka shërbyer në ShIK. Paga 150 marka rekrutimin e ka bo Fadil Lepaja, sektori në të cilin ka punu është përpunimi i të dhënave”, tha Molliqaj.

“Arsyja e largimit nga ShIK-u ishte paga e ulët.  E kam pa që Glauku me bashkëpunëtorët e parë po hezitojnë me u ballafaqu me të vërtetën. Unë besoj që ShIK-u si organizatë ka kryer veprime kriminale por nuk besoj se secili njeri në ShIK e ka bërë një gjë të tillë. Kur dikush që fshihet mbrapa të kaluarës së vet ai person është i rrezikshëm në politikë”, tha Molliqaj.

Molliqaj kishte porosi për Konjufcën.

“Glauk nuk të pshton Kadria, nuk të pshtojnë as njerëz të tjerë të ShIK-ut, por të shpëton veç e vërteta. Mua Glauk më vjen marre prej teje se janë dhjetëra deputetë të Kuvendit që e dinë. Ka qytetarë që munden edhe mos me besu po kredibiliteti yt ka ra sepse ka njerëz që e dinë krejt saktësisht këtë që e thash. Tash ti qysh ki me kritiku Kadri Veselin e Elmin që e ki afër ose dikë tjetër sepse na krejt këtu e dimë që je kanë në ShIK. Tash mundesh me shku te Burdushi e kalon edhe këtë krizë sikur krizat e tjera”, tha Molliqaj.

Ndërkaq, deputeti i LVV-së Liburn Aliu tha se edhe më herët ka pas akuza ndaj Vetëvendosjes. Por ai ka premtuar se do të flasin hapur dhe detajisht për këtë temë.

“Kjo dëshiron të duket si diçka personale sikur diçka që buron nga një debat i humbur por nuk është ashtu është projekt shumë më i thellë. Me qenë se është projekt më i thellë unë premtoj që për këtë projekt do të flasim hapur dhe detajisht. Është projekt i rrezikshëm dhe i hidhët projekt i dështuar. Nuk është relevant të merrem me këtë punë”, tha Aliu.