Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Molliqaj: Kurti e kishte lutur Cakajn që të kthehet në VV

Ish-sekretar i Lëvizjes Vetëvendosje, tani deputet i PSD-së, Dardan Molliqaj ka reaguar pas akuzavve të bëra nga VV karshi Gent Cakaj pasi ky i fundit nuk u dekretua si ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Ai përmes një postimi në profilin e tij në Facebook tha se Cakaj është larguar nga VV në vitin 2008 për shkak të qëndrimëve të VV-së për Planin e Ahtisaarit dhe se Cakajn, Kurti e kishte lutur të kthehet në vitin 2014.

“Ilir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV, e kanë akuzuar për vrasjen e protestuesve të 21 janarit. Ilir Meta qenka i mirë. Edhe pse Albin Kurti e VV e patën akuzuar për krim e korrupsion në Shqipëri. Kurse Gent Cakaj qenka i keq. Edhe pse Albin Kurti e pat lutur që të kthehet në VV, në një takim në vitin 2014. Gent Cakaj është anëtarësuar në VV në qershor të vitit 2006 dhe është larguar në mars të vitit 2008. Ai ishte larguar sepse nuk ishte dakord me qëndrimet e VV për Planin e Ahtisaarit. Sot VV po e mbron me fanatizëm Planin e Ahtisaarit, kurse po shpif e gënjen në mënyrën më të ulët për Gent Cakajn”, ka shkruar Molliqaj.

Ai po ashtu shtroi pyetje për Kurtin.

“Pse e ftoi Albini që të kthehet në VV, nëse ky paska qenë spiun, e i porositur?! Apo fjala është thjeshtë për hipokrizinë e vazhdueshme të stilit “kush është me mua është i mirë” (madje edhe nëse ai është Ilir Meta apo Isa Mustafa), e “kush nuk është me mua është i keq” (edhe nëse ai është Edi Rama – të cilin më herët e kishte ngritur në qiell)”, tha Molliqaj.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje ka  mbështetur vendimin e marrë sot nga presidenti i Shqipërisë Ilir Meta, për refuzimin e dekretimit të  Gent Cakajt si Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme i Republikës së Shqipërisë, pasi sipas tyre Republikës së Shqipërisë nuk i duhen ministra të Baton Haxhiut dhe Hashim Thaçit.

https://kallxo.com/vetevendosje-republikes-se-shqiperise-nuk-i-duhen-ministra-te-baton-haxhiut-dhe-hashim-thacit/