‘Molla e Kuqe’ mbetet në paraburgim, gjykimi drejt fundit

Gjykata në Prizren ia ka zgjatur edhe për një muaj paraburgimin ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”.

Remzi Shala gjendet në paraburgim që nga 24 maji pasi për rreth 5 muaj kishte qenë në arrati, dhe i kërkuar me urdhër arrest.

Gjyqtarja Raima Elezi ka marrë vendim për t’ia vazhduar atij paraburgimin edhe për 30 ditë tjera përderisa të premten jepet fjala përfundimtare në gjykimin ndaj Shalës.

Gjykata në vendimin e saj vlerëson se Remzi Shala me qëndrimin në liri mund të fshihet apo të dalë sërish në arrati me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Gjithashtu gjykata arsyeton vendimin për paraburgim me faktin se vepra penale me të cilën ngarkohet i pandehuri Shala është e rrezikshmërisë së lartë, dhe për të cilat vepra parashihen dënime të larta me burgim nëse ai gjendet fajtor, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Avokati Natal Bullakaj ka parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi, duke arsyetuar se Shala nuk do t’i shmanget drejtësisë dhe gjykatave të Kosovës dhe se “është edhe vet interesi i të akuzuarit Remzi Shala që gjykimi të marrë epilog përfundimtar”.

Avokati tha se Remzi Shala ishte arratisur pasi kishte pranuar ftesë nga Gjykata Speciale.

Remzi Shala është duke u gjykuar në Prizren për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës 21 vjet më parë, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

I ftuari në Gjykatën Speciale, përballet me akuza për krime lufte në Gjykatat e Kosovës

Gjykimi po zhvillohet në Gjykatën e Prizrenit dhe aktakuzën e përfaqëson Prokurori Special Haki Gecaj.

Më 21 qershor, Shala ishte përgjigjur vetëm disa pyetje të mbrojtësit të tij avokatit Natal Bullakaj, dhe pas kësaj kishte deklaruar se më tutje do të mbrohet në heshtje dhe nuk do t’i përgjigjet asnjë pyetje të prokurorit special Haki Gecaj por as pyetjeve eventuale të përfaqësuesit të të dëmtuarve, avokatit Asdren Hoxha.

https://kallxo.com/gjykimi-i-remzi-shales-molla-e-kuqe-tregon-a-e-ka-njohur-haxhi-perteshin/

Shala mohoi kategorikisht të ketë qenë ndonjëherë në fshatin Duhël.

“Nuk kam qenë kurrë në fshatin Duhël, sepse aty kanë qenë të stacionuar policia dhe ushtria e Serbisë”, tha ai.

Remzi Shala ka deklaruar se nuk e kishte njohur as Haxhi Përteshin, për të cilin akuzohet se e ka rrëmbyer.

“Kurrë se kam njohur Haxhi Përteshin, as para lufte e as gjatë lufte, se unë nuk jam marrë me popullatë civile”, përfundoi mbrojtjen e tij Remzi Shala.

Kallxo.com ka raportuar për rastin në fjalë që nga janari i vitit 2017.

Në Emisionin “Drejtësia në Kosovë” ish-ushtari i UÇK-së Remzi Shala kishte mohuar se ka lidhje me privimin nga liria të Haxhi Përteshit në qershorin e vitit 1998.

https://kallxo.com/remzi-shala-skam-lidhje-rastin-e-haxhi-perteshit/

KALLXO.com ka raportuar se në dhjetor të vitit 2018 Remzi Shala kishte pranuar ftesë nga Prokuroria e Specializuar për t’u intervistuar.

Lajmin për KALLXO.com e kishte konfirmuar edhe avokati i Shalës, Natal Bullakaj.

”Molla e Kuqe” ishte ftuar për intervistë për datën 17 janar por ai kishte dalë në arrati pasi kishte refuzuar t’u përgjigjej autoriteteve të Prokurorisë së Specializuar.

Me 24 Maj, Remzi Shala i kërkuar me urdhër – arrest ndërkombëtar u arrestua në shtëpinë e tij.

https://kallxo.com/policia-shkoi-tia-arrestoj-djalin-e-arrestoi-edhe-remzi-shalen/

Menjëherë pas arrestimi Shala u soll para  Gjykatës ku ndaj tij u caktua paraburgimi, përderisa gjyqtarja Raima Elezi njoftoi se nga Policia është lajmëruar për praninë e SHalës në shtëpinë e tij.

“Sot në ora 08:00 jam njoftuar nga Policia se është zbatuar urdhëresë ndaj djalit të akuzuarit për një vepër tjetër penale. Dhe gjatë zbatimit të urdhëresës Policia ka gjetur se edhe Remzi Shala gjendej në shtëpinë e tij”, ka deklaruar gjykatësja Elezi.

https://kallxo.com/komandanti-i-kerkuar-nga-gjykata-speciale-ishte-fshehur-ne-shqiperi/

Gjatë kësaj seanca kishte deklaruar se nuk është arratisur nga gjykimi për të cilin akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës lidhur me rastin e Haxhi Përteshit, por është arratisur për t`i ikur ftesës nga Gjykata Speciale për të cilën deklaroi sërish se nuk do t`i përgjigjet.

“Ju e dini që kurrë s`kam ik prej gjykatave tona ”, ishte deklaruar Shala.

I njëjti kishte thënë se dy ditë para arrestimit kishte ardhur në shtëpinë e tij, dhe se gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në Shqipëri.