Tabelë me fotografitë e civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Mejës në prill 1999

Mohimi i masakrave dhe krimeve të luftës, mohim i së vërtetës

Në krejt botën, ka disa shembuj të mohimit të krimeve, masakrave dhe gjenocidit. Mohimi i tyre bëhet, kryesisht, nga vetë ata që i kanë kryer ato.

Edhe pas më shumë se 100 vitesh, Turqia vazhdon së mohuari krimin dhe gjenocidin ndaj armenëve që ndryshe quhet edhe si ‘holokausti armen’ i vitit 1914.

Japonia mohon përfshirjen e saj në masakrën e Nanjing ku forcat e atëhershme të Mbretërisë së Japonisë vranë qindra mijëra ushtarë dhe civilë kinezë gjatë Luftës së Dytë Kino-Japoneze në vitin 1937.

Qeveria e Pakistanit vazhdon të mohojë se krimet e shkaktuara në Bangladesh ndodhën nën sundimin e saj gjatë Luftës për Çlirimin e Bangladeshit në vitin 1971.

Pas krimeve, masakrave dhe gjenocidit të Ruandës në vitin 1994, ata që i bënë këto krime filluan një fushatë për të krijuar një “të vërtetë” alternative duke kërkuar fshehjen e krimeve dhe përgjegjësive të tyre nga tmerri i vitit 1994.

Ndërkohë, edhe historia e mohimit të masakrave dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin ballkanik nuk është e panjohur.

Madje ajo është edhe më e freskët.

Ballkani Perëndimor, rajon që ka përjetuar luftërat më të përgjakshme në Evropë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, njihet si rajon ku shtete dhe liderë shtetesh që kanë kryer krime i mohojnë ato.

Edhe sot, gati 25 vjet më vonë, Serbia mohon se në Srebrenicë, një ndër masakrat më të mëdha dhe më të rënda që nga Lufta e Dytë Botërore, ka pasur gjenocid. Në mars të vitit 2010, parlamenti i Serbisë miratoi një rezolutë që dënonte masakrat e Srebrenicës, por nuk e quajti krimin gjenocid. Në korrikun e vitit 2015, një rezolutë që dënon masakrat e Srebrenicës në 1995 si gjenocid, nuk arriti të kalojë në OKB pasi aleati i Serbisë, Rusia, si anëtare e përhershme dhe me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit, e kundërshtoi atë.

Srebrenicë

Madje, politikanët serbë të Bosnjës i ngritën ish-ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin, që kishte përdorur veto në Këshillin e Sigurimit, një monument në pjesën lindore të Sarajevës, të dominuar nga serbët ndërkohë që pati iniciativa për ngritjen e një shtatoreje të tij në Srebrenicë.

Në nëntor të vitit 2018, në emisionin televiziv Conflict Zone, kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, mohon ta quajë masakrën e Srebrenicës si gjenocid.

“Masakra e Srebrenicës në vitin 1995 ishte një krim i shëmtuar, ishte një krim lufte. Ishte një krim i tmerrshëm. Gjenocidi është kur ju jeni … duke vrarë të gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ishte rasti. Nuk është bërë në emër të popullit serb dhe Serbia nuk mund, serbët nuk mund të fajësohen kolektivisht për atë që ndodhi. Nuk mendoj se ishte gjenocid”, deklaroi ajo.

Por çka është gjenocidi, në të vërtetë?

Por autorin dhe politikanin liberal kanadez, Michael Ignatieff, i cili është marrë një kohë të gjatë me çvshtje të konflikteve nëpër botë, gjenocidi i tejkalon kufijtë e politikës.

“Gjenocidi nuk është thjesht një çmenduri vrastare; është, thënë më thellësisht, një politikë që premton një utopi përtej politikës – një popull, një tokë, një e vërtetë, fundi i ndryshimit. Meqenëse gjenocidi është një formë e utopisë politike, ajo mbetet një tundim i qëndrueshëm në çdo shoqëri multietnike dhe multikulturore në kohë krize”, thotë Ignatieff.

Ndërsa mendimtari dhe historiani amerikan Howard Zinn, thotë se “historikisht, gjërat më të tmerrshme – lufta, gjenocidi dhe skllavëria – nuk janë rezultat i mosbindjes, por i bindjes”.

Sipas Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, mohimi i gjenocidit të Srebrenicës është më i pranishëm në diskursin politik, në media, në sferën e ligjit dhe në sistemin arsimor.

Lideri i serbëve të Bosnjës dhe njëherësh kryetar i Kryesisë së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik, ka thënë javën e kaluar se në Srebrenicë gjatë luftës ka ndodhur një fatkeqësi tmerrësisht e rëndë mirëpo sipas tij “boshnjakët po përpiqen ta ndërtojnë mitin për Srebrenicën. Ky është një mit i rrejshëm, ai mit nuk ekziston”.

Por, ky nuk është mohimi i vetëm i shtetit serb dhe liderëve serbë kur kemi të bëjmë me masakra dhe krime tjera të shkaktuara nga luftërat në ish-Jugosllavi.

Përveç mohimit të shtetësisë së Kosovës përgjatë 11 viteve prej se Kosova e ka shpallur pavarësinë, Serbia, në mënyrë konstante dhe me të gjitha mjetet, po provon të mohojë edhe krimet që forcat e armatosura të saj i kanë bërë në Kosovë, dhjetëra masakra të luftës së fundit.

Duke i mohuar krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës së fundit në vitet 1998/99, Serbia po përpiqet ta vë në pikëpyetje edhe vërtetësinë e masakrës në Reçak, një ndër disa masakrat e kryera nga aparati shtetëror serb në Kosovë, në janar të vitit 1999 e cila në momentin kur ndodhi, u cilësua si masakër dhe krim kundër njerëzimit nga ish-drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker.

Statuja e ambasadorit William Walker në Reçak. Foto: Kallxo.com

Ambasadori Walker kishte shtuar se ajo që ndodhi në Reçak dhe ngjarjet që pasuan çuan në formimin e Republikës së Kosovës.

“Ai incident, reagimi im ndaj tij, dhe më pas reagimi i qeverisë së Serbisë ndaj reagimit tim, prodhuan një cunam ndërkombëtar raportimesh për atë që po ndodhte në Kosovë, që çoi pastaj në takimin e ministrave të jashtëm, më pas takimet në Londër, në Rambuje që u pasuan me fushatën e bombardimeve gjë që eventualisht çliroi Kosovën nga kontrolli i Serbisë”, tha Walker në një intervistë për Zërin e Amerikës muaj më parë.

Dhe, për t’i hedhë benzinë flakës edhe më shumë, kohëve të fundit, ky mohim po bëhet jo vetëm nga jashtë Kosovës, respektivisht, nga Serbia dhe politikanë të saj, por edhe nga brenda Kosovës, nga politikanë, ministra e zëvendësministra në qeverinë e Ramush Haradinajt.

Disa përfaqësues serbë në institucionet e Kosovës, pjesë e kabinetit qeveritar, janë shkarkuar në dy vjetët e fundit pikërisht për shkak të deklarimeve apo mohimit të krimeve dhe masakrave që ndodhën në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Në shkurt të vitit 2015 Aleksandar Jablanoviq, ministër serb në qeverinë e Kosovës ishte shkarkuar në përpjekje për të shmangur protestat e dhunshme  që ishin shfaqur për ditë më radhë në lidhje me një deklaratë ofenduese ndaj shqiptarëve të Kosovës në janarin e atij viti.

Jablanoviq e kishte quajtur një grup të shqiptarëve si “egërsira” pasi ata ishin përpjekur për t’i parandaluar pelegrinët serbë të cilët kishin shkuar për të vizituar një manastir në Kosovën perëndimore gjatë festës së Krishtlindjeve ortodokse. Shqiptarët e Gjakovës të cilët kishin penguar pelegrinët kishin pohuar se në mesin e pelegrinëve kishte edhe “kriminelë lufte”.

Në vazhdën e mohimeve të krimeve dhe masakrave nga politikanë serbë të Kosovës, të ndodhura në Kosovën e viteve të ‘90-ta, ditë më parë, kryeministri Ramush Haradinaj, ka shkarkuar nga detyra edhe zëvendësministren serbe të Ministrisë së Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila në një emision televiziv serb, pati deklaruar se “bombardimet e NATO-s ndaj caqeve serbe janë gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb”.

Dhe, teksa u duk se tema të këtilla, të nxehta dhe të pakëndshme po merrnin epilogun e tyre, ishte një deklaratë tjetër ajo e cila e shtyri kryeministrin Haradinaj që edhe një herë të marrë vendim për shkarkimin e edhe të një ministri serb të Kosovës.

Kompleksi i varrezave të të vrarëve në Reçak. Foto: Kallxo.com

Në një tubim në veri të Mitrovicës, tashmë ish-ministri serb i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Ivan Todosijeviq, e quajti masakrën e Reçakut “një trillim” duke mohuar një prej masakrave e cila bëri bujë ndërkombëtare dhe u njoh ndërkombëtarisht si masakër dhe krime kundër njerëzimit. Pothuajse në të njëjtën ditë kur u bë publike kjo deklaratë, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori vendim për shkarkimin e tij duke deklaruar se vendimi i tij është marrë pas gjuhës së urrejtjes që ishte përdorur nga Todosijeviq.

Megjithëse në Kosovë, kjo deklaratë u  kritikua dhe u dënua rreptësisht, Beogradi zyrtar, ashtu siç edhe pritej, e quajti këtë ngjarje si “shpikje e William Walker”.

“Sikur ata janë djem të mirë, që kanë luftuar për liri kundër disa shejtanëve, sikur Todosijeviq ka vrarë 19 dëshmitarë, e jo dikush tjetër. Ai ka thënë diçka që nuk i pëlqen lobit kriminal shqiptar”, ka deklaruar Presdienti serb, Aleksandar Vuçiq.

Ndaj deklaratës së homologut të tij serb, ka reaguar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti në Facebook ka shkruar se krerët e Serbisë po mundohen para botës të mohojnë krimet, spastrimin etnik dhe gjenocidin e kryer nga ushtria e Serbisë në Kosovë.

“Të mohosh gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë është sikur të mohosh holokaustin e nazizmit të Hitlerit. Ka vetëm një dallim: holokausti është dënuar, kurse krimet e Serbisë po kalojnë po u ndëshkuar nga bashkësia ndërkombëtare! Një qasje e tillë e Serbisë nuk është aspak ndihmuese për procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe pajtimin!”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Edhe institucioni i Bashkimit Evropian është deklaruar për masakrën e Reçakut.

Sipas zëdhënësës së BE-së, Maja Kocijançiq, “nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Kosovës në janar të vitit 1999. Mohimi dhe revizionizmi janë në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Europian dhe janë në kundërshtim me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”.

Pas këtyre deklaratave që mohojnë masakrat e kryera në Kosovë, e për të cilat u shkarkuan një ministër dhe një zëvendësministre nga kryeministri Haradinaj, qeveria e Kosovës e ka bërë një hap tutje për ta klasifikuar mohimin e krimeve të luftës si një vepër penale.

Javën e kaluar, me propozimin e zëvendës kryeministrit Enver Hoxhaj, qeveria e Kosovës miratoi një nismë për t’i dënuar ata që mohojnë krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës për pavarësi në fund të viteve 1990.

Pavarësisht reagimeve të Thaçit, si kryeprotagonist i bisedimeve me Serbinë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian, në përpjekjet për normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, dhe të Hoxhajt si ish-ministër i Punëve të Jashtme e tash zëvendës kryeministër, pala kosovare deri më tani nuk ka mundur ta shtyjë përpara në këtë dialog çështjen e përgjegjësisë së krimeve të luftës në Kosovë.

Disa ditë më vonë edhe Ambasada Amerikane në Kosovë ka dalë me një reagim në lidhje me mohimin e mizorive të luftës në Kosovë.

“Gjersa Kosova përkujton 20 vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-ve shprehë ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Të mohuarit e mizorive ofendon kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë, dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik. Ne poashtu nxisim udhëheqësit e Kosovës nga radhët e gjitha bashkësive që të përmbahen nga retorika ndezëse. Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore”, thuhet në komunikatën e kësaj ambasade.

Pak ditë më vonë edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruairi O’Connell, reagoi në lidhje me këtë temë. Sipas tij, Kosova nuk duhet ta harrojë të kaluarën, por duhet ta vendosë se si do të duket e ardhmja.

“Ata që mohojnë masakrat si Reçaku gënjejnë’, ka thënë O’Connell.

“Duhet të kujtojmë të kaluarën, nuk mund të ndryshojmë çka ka ndodhur por ne mund të vendosim se si do të duket e ardhmja. Ne nuk guxojmë të harrojmë Reçakun, Krushën e Madhe, Likoshanin, Qirezin, Lybeniqin, Mejën dhe shumë masakra të randa që kanë ndodhur në Kosovë. Ata që i mohojnë, gënjejnë”, thuhet më tej në deklaratën e ambasadorit O’Conell.

Mirëpo, jo të gjitha institucionet ndërkombëtare reaguan në lidhje me mohimin e mizorive dhe krimeve serbe të ushtruara ndaj shqiptarëve 20 vjet më parë.

P)llaka përkujtimore e viktimave të masakrës në Pastasel. Foto: BIRN

Një ndër organizatat kryesore ndërkombëtare që ka të bëjë me çështje të sigurisë dhe bashkëpunimit në Evropë, OSBE, nuk i ka komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë lidhur me masakrën në fshatin Reçak të komunës së Shtimes në Janarin e vitit 1999. Përmes një përgjigjie me shkrim në adresën elektronike të BIRN, kjo organizatë ka lënë të kuptohet se ajo mjaftohet me “dokumentimin dhe raportimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut gjatë krizës së Kosovës, duke përfshirë edhe Raçakun, për shembull përmes dokumenteve të disponueshme për publikun”

Ndërkohë iniciativa më e fundit e autoriteteve kosovare në lidhje me krimet dhe gjenocidin e Serbisë të ushtruar mbi shqiptarët etnikë, është edhe miratimi i formimit të një Komisioni Parlamentar për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë i cili u mbështet me votat e 66 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, Beogradi zyrtar ka mohuar gjithçka që ka të bëjë me ekzistencën e Kosovës si shtet. Duke refuzuar të njohë shtetësinë e Kosovës, njëkohësisht, Serbia vazhdon së refuzuari ta njohë edhe agresionin, krimet dhe masakrat e saja në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Një dialog, kinse për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi po vazhdon që nga viti 2011 dhe rezultatet e një pajtimi ndërshtetëror duket të jetë i pamundur në një të ardhme të afërt.

Në të njëjtën kohë, Serbia refuzon dhe mohon në mënyrë kategorike rolin e saj si nismëtare dhe shkaktare e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, duke lënë si trashëgimi të saj historike qindra mijëra të vrarë, e pothuajse pesëfish më shumë të plagosur, me qindra masakra dhe krime kolektive dhe me miliona banorë të deportuar përgjatë 10 viteve konfliktesh e luftërash në Bosnjë e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.

Mohimi i krimeve të luftës, masakrave apo edhe gjenocidit  jo vetëm që ndikon në marrëdhëniet dhe pajtimin e mundshëm ndërmjet viktimës dhe dhunuesit, por ndikon në masë të madhe edhe në shoqërinë në të cilën jetojmë.

Mohimi, kësisoj, ka ndikim të drejtpërdrejtë negativ në zhvillimin e një shoqërie por edhe nivelin e vetë demokracisë.

Rajoni i Ballkanit akoma nuk po arrin të dalë nga korniza e nacionalpatriotizmit etnik. Megjithëse përpjekje të shumta po bëhen për një integrim të krejt Ballkanit në shtëpinë e madhe evropiane, me gjasë, historia dhe trashëgimitë e dhimbshme dhe të gabueshme të së kaluarës, akoma po e  pamundësojnë një gjë të tillë.