Shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini - Foto: REL/AFP
Mogherini: Taksa 100% në kundërshtim me frymën europiane
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, pas takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian ka komentuar taksën 100% të vendosur nga ana e Kosovës për produktet serbe dhe boshnjake.
“Fakti që Qeveria e Kosovës ka futur tarifat 100 për qind në mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovinën është në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit tonë në rajon dhe padyshim një dialog duhet të zhvillohet në një pasuri që duhet të jetë konfidenciale ose të paktën të ekzistojë respekti”, tha Mogherini gjatë një konference për medie.
Ndryshe javë më parë Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, kjo pas dështimit të anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL si rezultat i veprimeve të Serbisë.
Edhe pse masa prej 100% është mirëpritur dhe përkrahur në vend, ky vendim u kritikua ashpër nga ana e ndërkombëtarëve dhe nga Serbia.
Madje shumë qytetarë serbë në Veri të Kosovë kanë protestuar për këtë taksë, duke e quajtur si jonjerëzore.