MMPH investon 3 milionë euro në katër komuna

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka njoftuar se do të investojë 3 milionë euro në katër komuna të Kosovës, Skenderaj, Istog, Viti dhe Deçan.

Ministri i Mjedisit përmes një publikimi në Facebook ka njoftuar se sot kanë nënshkruar memorandume bashkëpunimi me kryetarët e këtyre katër komunave për realizimin e projekteve në fushën e mjedisit

“Projektet për të cilat u nënshkruan memorandumet e bashkëpunimit me komunën e Skenderajt janë: “ Kanalizimi në Bashkësinë Lokale Qirez-Likoc- Skenderaj”, në vlerë prej 230 mijë euro; “Kanalizimi në fshatin Llaushë- Skenderaj”, në vlerë prej 200 mijë euro; “Rregullimi i lumit Klina nga Fshati Kuqicë deri në Skenderaj”, në vlerë prej 300 mijë euro; “Rrjeti i kanalizimit ne Prekaz-Mikushnicë-Skenderaj, në vlerë prej 200 mijë euro.

Këtë vit MMPH në Skenderaj realizon 7 projekte të cilat kapin vlerën rreth 1.5 milion euro.

Me komunën e Istogut janë nënshkruar dy marrëveshje për projekte: “Ndërtimi i parkut të qytetit në lokacionin e ish ndërmarrjes publike Radusha”, në vlerë prej 100 mijë euro dhe “Ndërtimi i kanalit të ujitjes në fshatin Storadran”, në vlerë prej 100 mijë euro.

Me komunën e Vitisë kemi nënshkruar memorandum bashkëpunimi për projektin ”Renovimi dhe ndërtimi i Infrastrukturës Mbrojtëse përgjatë lumit Morava e Binçes”, ku këtë vit do të ndahen 400 mijë euro.

Me komunën e Deçanit nënshkruam memorandume për këto projekte : “ Kanalizimi i ujërave të zeza në zonën urbane në Deçan”, në vlerë prej 50 mijë euro; “Kanalizimi i ujërave të zeza në Rastavicë”, në vlerë prej 31 mijë e 500 euro; “Rregullimi i shtratit të Lumbardhit në Deçan, në vlerë prej 400 mijë euro dhe “Ndërtimi i shtratit të lumit në Irzniq në lagjet Berisha, Mushkolaj dhe Dodaj”, në vlerë prej 50 mijë euro, për vitin buxhetor 2019”, ka shkruar Matoshi.

Po ashtu, Matoshi ka kërkuar nga kryetarët e komunave angazhim më të madh në fushën e mjedisit si dhe zbatimin e Udhëzimit Administrativ për ndëshkime me gjoba mandatore.