MMPH bën analiza të ujit të lumit Mirusha për të kuptuar shkaqet e ngordhjes së peshqve
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, bazuar në raportimet e mediave dhe të inspektoratit komunal të mjedisit nga komuna e Malishevës , lidhur me dukurinë e paraqitjes së ngordhjes së peshqve në rrjedhën e lumit Mirusha dhe atë në lokacionin nga Banja e Malishevës në drejtim të qytetit të Malishevës, është duke ndërmarrë masat e nevojshme për të vërtetuar shkaqet e ngordhjes së peshqve.
Inspektorati i ujërave në kuadër të MMPH-së, bazuar në prezencën e inspektorit komunal në vend ngjarje, ka udhëzuar inspektorin që t’i marrë mostrat e ujit nga lumi i Mirushës për analiza të mëtejme të ujit nga lumi Mirusha për të identifikuar shkaqet e paraqitjes së ngordhjes së peshqve.
“Në këtë aspekt Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës pas pranimit të mostrave të ujit nga vendi i ngjarjes është duke bërë analizat në laborator për të verifikuar nëse cilësia e ujit ka ndikuar në ngordhjen e peshqve. Rezultatet mbi cilësinë e ujit do të raportohen pas përfundimit të analizave laboratorike të mostrës së sjellë në Institut”, thuhet në njoftimin e MMPH.
KALLXO.com raportoi sot për ngordhjen e peshqve në lumin Mirusha.
https://kallxo.com/ngordhin-peshqit-ne-lumin-mirusha/
MMPH ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë me organet përgjegjëse për të çdo informacion në lidhje me shkaqet që mund të kenë shkaktuar këtë fenomen.