MKRS shkel ligjin, lë pa drejtor Muzeun Kombëtar të Kosovës

Ministria e Kulturës ka dështuar të hapë konkursin për zgjedhjen e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës brenda afatit ligjor. Që nga gushti i vitit të kaluar ky institucione drejtohet me ushtrues detyre.

Për mos hapje të konkursit për drejtor të MKK-së, zyrtarë të MKRS kanë lënë ‘fajtor’ Ligjin për Buxhetin e këtij viti, i cili, sipas tyre është votuar me vonesë.

Pavarësisht faktit se që nga janari i këtij viti ministria ka shpallur konkurse për dhjetëra pozita në MKRS dhe institucionet vartëse të saj.

Sami Hoxha, këshilltar i ministrit të Kulturës, ka thënë për Kallxo.com se arsyeja që MKRS ende nuk ka hapur konkursin për drejtor të MKK është se Ligji për Buxhetin e viti 2019 është votuar me vonesë, çka sipas tij,  ka shkaktuar edhe vonesa tek Institucioni ynë në lidhje me shpalljen e konkurseve.

“Pasi deri në momentin e hyrjen në fuqi të Ligjit të Buxhetit, si dhe shpërndarjes së mjeteve financiare nëpër kodet e veçanta ka shkaktuar vonesa në dhënien e aprovimeve për shpalljen e konkurseve nga Ministria e Administratës Publike, si fazë e parë e procedurës së rekrutimit me të cilin autorizim lejohet shpallja konkursit”, ka thënë Këshilltari Hoxha.

Ai ka thënë se MKRS tashmë është duke përgatitur konkursin që të vazhdojmë me procedurat e rekrutimit. Por, pa dhënë ndonjë datë të saktë rreth hapjes së konkursit.

Megjithëse kur është në pyetje paga që marrin ushtruesit e deturës së drejtorit, Hoxha ka thënë se sipas Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike kur pozita ushtrohet nga pozita të cilat kanë pagë më të lartë se pozita e Drejtorit të Muzeut, ata nëpunës vetëm bëjnë punë shtesë deri në zgjedhjen e drejtorit të rregullt.

“Paga i mbetet ajo e njëjta, ndërsa kur pozita ushtrohet nga pozita të cilat kanë pagë më të vogël se pozita e Drejtorit të Muzeut, ato kompensohen sipas legjislacionit dhe pagës se planifikuar për pozitë të Drejtorit sipas vendimit për Ushtrues Detyre”, ka thënë këshilltari Hoxha.

Ligjërisht një institucion publik nuk mund të drejtohet me ushtrues detyre në një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj.

Ndërsa MKK që nga gushti i vitit të kaluar drejtohet me ushtrues detyre.

“Lëvizja e zyrtarëve drejtues brenda shërbimit civil. 1. Zyrtarët e lartë drejtues dhe zyrtarët drejtues në shërbimin civil, mund të caktohen në pozita të ndryshme me gradë ekuivalente për një periudhë të caktuar kohore, por jo më shumë se gjashtë (6) muaj”, thuhet nenin 16 të Ligji për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës.

Verën e kaluar, më 22.06. 2018, Komisioni i MKRS-së për Zgjedhjen e Kontesteve dhe ankesave në këtë ministri, pas rekomandimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, mori vend për të anuluar vendimin e MKRS-së për  drejtorit të atëhershme, që, sipas KZAK-së është bërë në kundërshtim me ligjin.