MKRS nderon Azem Shkrelin me çmimin ‘Bekim Fehmiu’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë sot Çmimet Kombëtare për Kinematografinë në një ceremoni të organizuar në kabinetin e ministrit në largim Kujtim Gashi.

Ish-shkrimtari dhe skenaristi Azem Shkreli u nderua me Çmimin Kombëtar “Bekim Fehmiu”, për Vepër jetësore në fushën e Kinematografisë, post mortum, për kontributin e dhënë në zhvillimin e kinematografisë kosovare.

Ky çmim i cili ka një kundërvlerë prej 5,000.00 eurove, nga ministri Gashi i është dorëzuar familjarëve të Shkrelit.

Ndërkaq, Burbuqe Berisha dhe aktori Kushtrim Hoxha kanë marrë çmimin Vjetor për kinematografi në vlerë prej 1,250.00 eurove.

Regjisorja Berisha këtë çmim e mori për filmin “Një tregim Prishtinë”, ndërsa Hoxha për aktrimin e në filmin, “Nëntori i ftohtë” të regjisorit Ismet Sijarina.

Regjisorja Berisha ishte e pranishme në këtë ceremoni, ndërkaq në mungesë të aktorit Hoxha çmimi është pranuar nga familja tij.