MKRS-ja dhe Oda ekonomike Kosovë -Zvicër  të gatshme për bashkëpunim

Oda ekonomike Kosovë-Zvicër do të ndihmojë zhvillimin dhe promovimin e kulturës kosovare, duke shqyrtuar edhe nisjen e një bashkëpunim kulturor në mes Kosovës dhe Zvicrës.

Këto konkludime kanë dalë pas takimit që ministri i Kulturës, Kujtim Gashi që ka pasur gjatë ditës së sotme me kryetarin e Odës Ekonomike Kosovë-Zvicër, Stefan Sarakany dhe kryetarin e fondacionit të artistëve nga Zvicra, Jacob Abraham.

Përmes një komunikate për media MKRS njfton se qëllimi i këtij takimi ishte fillimi i bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Zvicrës.

Gjatë  takimit u bisedua rreth fillimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe Odës ekonomike Kosovë-Zvicër për bashkëpunim në aktivitetet kulturore.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë për bashkëpunim në realizmin e projekteve kulturore shkëmbimin e artistëve, profesionistëve si dhe përvojave të mira mes Zvicrës e Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të këmbimit kulturor, sidomos në realizimin e projekteve kulturore të cilat kanë për qëllim fuqizimin e kulturës në vend dhe në rajon.

“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Zvicrës është në interes të realizimit të aktiviteteve kulturore që kanë për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në vendet e ndryshme të Evropës, me theks edhe në Zvicër ku ndodhen edhe shumë bashkatdhetarë nga Kosova”, citohet të ketë thënë Gashi ndër të tjerash gjatë takimit.