Basketbollistet e KB 'Drita', Gjilan, duke përdorur batanije për ngrohje. Foto: Kallxo.com

Mjerimi i Sportit Kosovar; me Batanije në Stërvitje dhe Lojë

Të mbuluara me batanije, basketbollistet e klubit “Drita” nga Gjilani presin rendin të futen në lojë.

Sezoni dimëror ka filluar në shkurt por lojtaret e basketbollit në sallën “Bashkim Selishta” në Gjilan nuk kanë ngrohje.

Lojërat të cilat zhvillohen çdo javë dhe ftohti në sallë ua pamundëson lojtareve të fokusohen në punën e tyre.

Trajneri i klubit basketbollistik “Drita”, Afrim Selimi, tha për KALLXO.com se salla e sporteve “Bashkim Selishta” në Gjilan nuk është në gjendje të mirë.

Ftohti është një nga arsyet që lojtaret e tij nuk mund të bëjnë një lojë të mirë.

“Kushtet jo të mira në sallë gjatë sezonit dimëror janë ato që na krijojnë vazhdimisht probleme. Lojtaret kanë nevojë të ketë të paktën sallën e nxehtë që të mund të zhvillojnë lojë të mirë. Salla nuk i përmbush kushtet për të zhvilluar një lojë”, tha Selimi.

Ai fton zyrtarët komunalë ta shikojnë vetëm një ndeshje basketbolli apo të çfardo sporti të llojit tjetër në sallë të ftohtë.

http://kallxo.com/majlinda-kelmendi-kampionia-qe-mund-ta-braktise-vendlindjen/

“Kërkojmë nga institucinet relevante të marrin masa në lidhje me këtë rast. Më saktësisht kërkojmë nga komuna e Gjilanit dhe Ministria e Sportit që të vijnë dhe ta shikojnë ose të paktën ta ndjekin një lojë dhe të shikojnë se a mund të qëndrojnë deri në fund të lojës. Po ashtu kërkojmë edhe nga federata që t’i ndryshojë të paktën oraret e lojrave në stinën dimërore”, tha Selimi për KALLXO.com.

Sipas tij, renovimi i sallës do të ishte i domosdoshëm në mënyrë që lojtareve t’u jepet vullnet për të luajtur.

Basketbollistet e KB ‘Drita’, Gjilan, duke përdorur batanije për ngrohje. Foto: Kallxo.com

Venera Jusufi, lojtare në klubin e basketbollit të femrave “Drita” të Gjilanit, tha se sezonin dimëror thuajse çdo herë lojtaret përballen me të ftohtin.

E vështirë, sipas saj, është edhe koha e stërvitjeve.

“Në fillim të shkurtit kemi filluar sezonin dimëror të lojrave të basketobollit. Kushtet me te cilat përballemi ne lojtaret nuk janë të mira. Lojrat i zhvillojmë në sallë të ftohtë. Kjo na pengon të zhvillojmë një lojë të mire. Këtë problem e kemi edhe gjatë stërvitjeve. Na duhet me u pajis me batanije për me qëndru të nxehta për loje. Po e përsëris prapë jemi duke zhvilluar lojë në kushte të cilat janë shumë shumë të papërshtatshme”, tha Jusufi.

Basketbollistet e KB ‘Drita’, Gjilan, duke përdorur batanije për ngrohje. Foto: Kallxo.com