Foto-ilustrim

Mjeku Rrëfen Çka e Udhëzoi Pacienten të Cilës i Kishte Vdekur Foshnja në Bark

Në gjykimin e Shemsi Salihut, i cili akuzohet për përgatitje dhe dhënie të pandërgjegjshme të barnave, si rezultat i të cilës dyshohet se Gyltene Bytyqit i vdiq fëmija në bark, ka dëshmuar gjinekologu tek i cili e dëmtuara i kryente kontrollet gjatë shtatzënisë.

Naim Tërstena tregoi para trupit gjykues në Gjykatën e Ferizajt se është gjinekolog – obstetër, profesion të cilin e ushtron nga viti 2001 dhe se nga viti 2006 punon si bashkëpunëtor i jashtëm në Spitalin e Ferizajt dhe se ka një ordinancë private të quajtur “Rina”.

Gjatë dëshmisë, Tërstena tha se pacienten me emër Gyltene Bytyqi nuk e mban mend nëse ka qenë apo jo në ordinancën e tij mirëpo i kujtohej bashkëshorti i saj, Ferati.

“Mua nuk po më kujtohet saktë se a ka qenë Gyltene Bytyqi tek unë në ordinancë, mirëpo bashkëshorti saj po më kujtohet si fytyrë që e kam parë në ordinancën time. Po ashtu, tash nga kujtesa ime më kujtohet se për këtë rast kam dhënë deklaratë në Polici”, tha ai.

Më vonë, pas shikimit të raportit në aktakuzë, gjinekologu Tërstena tha se ilaçi të cilin ia kishte shkruar Gyltene Bytyqit ishte me emër “Rennine”, të cilin ia kishte përshkruar kundër thartirës.

Më pas Tërstena foli  edhe për ditën në të cilën e dëmtuara kishte shkuar pasi i ishte keqësuar gjendja.

“Me sa më kujtohet ka ardhur pacientja Gyltene Bytyqi, por nuk më kujtohet pas sa ditëve dhe a ka pasur diçka komplikime gjatë shtatzënisë apo foshnja ka qenë e vdekur në bark. Por më duket se  kjo e fundit ka qenë më shumë por që nuk më kujtohet saktë”, deklaroi Tërstena teksa merrej në pyetje nga prokurori Abdullah Abedini.

Gjinekologu tregoi se atë ditë Gyltene Bytyqin e kishte udhëzuar për në Prishtinë pasi të njëjtës i kishte vdekur fryti në mitër dhe se e njëjta duhej të shkonte në Spitalin e Prishtinës për ta hequr foshnjën e vdekur nga barku.

Dëshmitari Tërstena detajisht tregoi një nga një për secilin nga pesë barnat e përshkruar në raportin e dhënë pacientes Gyltene Bytyqi, duke përmendur edhe barin me emër “Rennine“, të cilin e kishte shkruar për t’ia ndalur thartirën.

Sipas aktakuzës barin me emër “Rennine“ në pamundësi të deshifrimit i pandehuri Shemsi Salihu gabimisht ia jep barin tjetër me emër “Actasolid nimesolid” bashkëshortit të të dëmtuarës Ferat Bytyqi, ku pas përdorimit i ishin shkaktuar probleme shëndetësore Gyltene Bytyqit që në atë kohë ishte shtatzënë e që rezultoi me humbjen e foshnjës.

Tërstena gjithashtu tha se nuk i kujtohej nëse Gyltene Bytyqi kishte qenë rregullisht tek ordinanca e tij për kontroll, por në bazë të raporteve të prezantuara nga prokurori del se e njëjta ka kryer këto kontrolle në klinikën e tij, por nuk i kujtohej as nëse dikush tjetër ka qenë tek ordinanca e tij për të biseduar për këtë rast.

“Mua nuk po më kujtohet saktë nëse Gyltenja ka qenë në ordinancë tek unë pasi që kemi një numër të madh të pacienteve, diku 10-15 në ditë dhe është e pamundur për t’i mbajtur në mend të gjithë, por në bazë të raportit që po e shoh këtu nga prokurori në  recetat e përshkruara po del se zonja ka qenë në vizitë të rregullt tek unë”, tha gjinekologu.

KALLXO.com ka raportuar edhe për shqyrtimin fillestar të këtij rasti ku Gyltene Bytyqi tregoi për ditën kur kishte humbur foshnjën  pas përdorimit të barnave të blera nga bashkëshorti i saj Ferat Bytyqi në barnatoren e të akuzuarit Salihu.

http://kallxo.com/rrefimi-i-nenes-qe-pretendon-se-humbi-foshnjen-shkaku-i-barnave-te-gabuara/

Seanca e radhës u shty për një datë të pacaktuar.