Gjykimi i mjekeve | Foto: KALLXO.com

Mjeket Mohojnë Fajësinë për Vdekjen e Mësueses

Arbenita Selimi-Spahiu vdiq në mars të këtij viti në Spitalin Regjional të Gjilanit derisa po lindte fëmijën e saj, ndërsa për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor të saj po akuzohen Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri, derisa Vjollca Kosumi ngarkohet për mosdhënie të ndihmës mjekësore.

Maxhide Shaqiri është shefe e repartit të sallës së lindjes, ndërsa Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kosumi ishin mjeke kujdestare në kohën kur vdiq Arbenita Selimi-Spahiu.

Në seancën fillestare të zhvilluar sot në Gjykatën Themelore në Gjilan, mjekeve të akuzuara iu lexua aktakuza nga prokurori Arben Ismajli.

Pastaj mjeket mohuan fajësinë.

“Nuk qëndron e vërteta sipas asaj që tha prokurori, e vërteta qëndron ndryshe dhe nuk e pranoj veprën që është ngritur ndaj meje,” tha Maxhide Shaqiri.

Ndërsa Hamide Zeqiri deklaroi se kishte dhënë maksimumin e saj në ditën kritike.

“As unë nuk e pranoj këtë aktakuzë, pasi unë kam dhënë ndihmën e duhur në maksimum, por nuk e di pse është ngritur aktakuzë,” tha Zeqiri.

Po ashtu edhe mjekja tjetër Vjollca Kosumi që ishte kujdestare ditën kritike tha që ndihet e pafajshme.

“Në asnjë moment dhe asnjë çast e rrethanë nuk e ndjej veten fajtore për këtë vepër penale,” tha Kosumi.

Sipas prokurorisë, Arbenita Selimi-Spahiu vdiq për shkak të shokut hemorragjik që pësoi ngase nuk u trajtua në mënyrë të përshtatshme dhe ashtu si duhej.

“Për shkak të vonesës dhe mosndërmarrjes me kohë që pacientes-tani të ndjerës t’ia heqin mitrën, vjen deri te gjakderdhja dhe si pasojë e humbjes së sasisë së mjaftueshme të gjakut pacientja pëson shok hemorragjik me vlera të ulëta jetësore -gjendje agonie,” thuhet në aktakuzë.

Në bazë të veprave me të cilat ngarkohen, Maxhide Shaqiri e Hamide Zeqiri mund të dënohen deri në 12 vjet burg, ndërsa Vjollca Kosumi deri në tetë vjet.

Tri mjeket sipas kryetarit të trupit gjykues tash kanë 20 ditë afat për të paraqitur kundërshtimet e aktakuzës.

Për arrestimin e tri mjekeve-gjinekologe dhe ngritjen e aktakuzës ndaj tyre, KALLXO.com shkroi edhe në vazhdimësi.